E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujdes nga Sunderland!

Lorik Cana ka paralajmëruar Manchester Unitedin të përgatiten për luftë këtë fundjavë, derisa ekipi i tij Sunderland synon të ruajë rekordin pozitiv në ballafaqimet me katër ekipet e para në Premierligë. Black Cats nga Stadium of Light kanë kthyer duarthatë Arsenalin, Liverpoolin dhe Tottenhamin, ndërsa ishin vetëm disa sekonda larg t’ia shkaktonin këtë edhe Manchester Cityt.

Vetëm Chelsea dhe Aston Villa kanë arritur t’i mposhtin në fushën e tyre këtë sezon dhe kapiteni Cana ka thënë se xhelozia do ta ruajë serinë e tyre pozitive në shtëpi në vizitën e kampionit aktual të shtunën. Kjo paraqet rrezik për Manchester Unitedin, që ka nevojë për fitore të ruajë aspiratat për titull. “Manchester United është njëri prej ekipeve më të mira në Angli – ndoshta në botë – andaj nuk do ta kemi lehtë kundër tyre.

Por, kemi rezultate të mira në shtëpi dhe nuk shoh arsye pse ne të mos vendosim garën për titull këtë fundjavë. Kemi humbur vetëm dy ndeshje gjithë sezonin”, tha Cana për mediet angleze. Ai shtoi: “Rezultatet tona në shtëpi janë prej më të mirave në ligë. Kemi fituar rreth 34 pikë në shtëpi, andaj nuk duhet të na nënçmojë askush rreth aftësive tona. Jemi shumë të vështirë për t’u mposhtur në shtëpi. Nëse Manchester United dëshiron ta fitojë ligën duhet të vjen të na mposhtë në Stadium of Light.

Sigurisht se ata kanë ekip të fortë, por ju premtoj se nuk do të jetë lehtë”. Sunderland është duke përfunduar sezonin në formë të mirë. Fitorja ndaj Hull javën e kaluar i ngriti ata në 10 pozitat e para në Premierligë. “Nëse përfundojmë në top 10, atëherë mund të themi se kemi kaluar një sezon të mirë”, përfundoi Cana.

Cana, futbollisti i tretë më i mirë
Lorik Cana është votuar si futbollisti i tretë më i mirë i vitit në Sunderland, në bazë të votave nga tifozët në ueb faqen zyrtare të klubit safc.com. Mesfushori kosovar ka përfunduar i treti prapa portierit Craig Gordon dhe sulmuesit Darren Bent, i cili është zgjedhur futbollisti më i mirë i sezonit, pas 25 golave të shënuara në të gjitha garat deri më tani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›