E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Do të kemi skuadër sulmuese kundër Portugalisë

Më në fund, Josip Kuzhe
shfaqet për herë
të parë zyrtarisht para
gazetarëve, që nga momenti që
është emëruar trajneri i Shqipërisë.
Dhe këtë e ka bërë në
mënyrë bindëse, duke demonstruar
siguri në idetë e tij, të cilat
pret t‘i realizojë me këtë skuadër
në të ardhmen. Madje nuk ka
nguruar të theksojë se modeli i
lojës së tij është sulmuese dhe këtë
nuk ka ndërmend ta ndryshojë
edhe në drejtimin e një skuadre
të nivelit të dytë, si Shqipëria. Që
nga dita e emërimit e deri tani,
ai ka diskutuar me FSHF-në për
synimet dhe objektivat e futbollist
shqiptar në përgjithësi dhe në
veçanti të Kombëtares. "Për momentin
jemi duke vendosur piketa
për disa politika afatgjata, ku pa
dyshim janë dhe disa objektiva
afatshkurtra, ka sqaruar ai. Objektivi
afatgjatë i futbollit shqiptar
është rritja e paraqitjes sonë në një
nivel më të lartë ndërkombëtar,
dhe natyrisht që objektivi ynë
kryesor imediat është të bëjmë
paraqitje të suksesshme në tri
ndeshjet e fundit eliminatore dhe
të krijojmë atmosferë të këndshme
dhe përgatitje të mira për
ndeshjen e ardhshme eliminatore
të Euro 2012". Gjatë këtyre kohëve
ka mbledhur informacione për
futbollistët kuqezinj, por tashmë
ka shansin të njohë direkt rendimentin
e secilit prej tyre në seancat
e para stërvitore gjatë kësaj faze
grumbullimi. Nga grupi me 27
lojtarët e thirrur do të përzgjidhen
18 për dy ndeshjet me Portugalinë
dhe Gjeorgjinë. Përshtypjet e tij të
para janë të mira dhe beson se ka
në dispozicion lojtarë shumë të
mirë nga ana teknike. "Të premten
dhe sot (të shtunën) kam parë
lojtarë me eksperiencë dhe me
dëshirë e frymëzim për t‘u stërvitur,
për të ndërtuar një skuadër
me shpirt fitues, për të dhënë
më të mirën e tyre në një ndeshje
shumë të vështirë, si ajo kundër
Portugalisë. Nga dita e hënë, kur
të kem në dispozicion të gjithë
lojtarët, do të bëjmë një plan pune
për veprimet tona, ku do të mbizotërojë
normalisht ana taktike".
Para Portugalisë kuqezinjtë do t‘i
nënshtrohen një testi të parë në
sytë e Kuzhesë në miqësore me
Kombëtaren U-17. Dhe vetëm të
enjten do të ketë krijuar një ide
të qartë mbi një "ekip në letër"
me futbollistët që do të jenë të
gatshëm për ndeshjen kundër Portugalisë.
"E pres ndeshjen kundër
Portugalisë me një ndjenjë të mirë,
rrëfen Kuzhe. Ne do të shkojmë në
atë ndeshje edhe një herë tjetër
me më shumë energji, për të bërë
një takim të mirë. Për t‘i bërë edhe
një herë tjetër shqiptarët të lumtur.
Faktin se kundërshtari është nën
presion, nuk do ta shikoj si një
avantazh të madh, pasi ata kanë
në ekip lojtarë shumë cilësorë.
Besoj se me aftësitë teknike dhe
me mendjen time, ne mund të
bëjmë një lojë të shkëlqyer nga
ana taktike, e në të njëjtën kohë
argëtuese. Unë mund të ndihmoj
në organizimin e lojës në sulm",
përfundoi trajneri i Kombëtares.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›