E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: Dua Gjermaninë në grupin eliminator

Trajneri

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, do të niset sot drejt Polonisë së bashku me një delegacion të FSHF-së, për shortin eliminator të Euro 2012, që do të hidhet të dielën në Varshavë. Drejtuesi i stolit kuqezi ka zbuluar edhe kundërshtarin “big” që preferon të ketë përballë si kundërshtar: “Nuk është e thjeshtë të shprehësh dëshirën për kundërshtarët që do të bien në grup. Sigurisht kemi skuadra ndaj të cilave duam dhe të tjera që nuk na pëlqen të luajmë. Do preferoja të përballeshim me Gjermaninë, ose më mirë të them në përgjithësi, dëshiroj të luajmë me skuadra që zhvillojnë lojë të organizuar, e jo me skuadra që kanë individualitete të mira, apo me ekipe të cilat e bazojnë lojën te sulmuesit, si Holanda apo Spanja. Të tjerë kundërshtarë që do të më pëlqenin janë edhe Zvicra, Turqia e Finlanda. Nga vazoja e katërt do të ishte ideale të luanim me ndonjë skuadër nga vendet baltike, ndërsa nga vazo e fundit ndoshta ndonjë skuadër e lehtë si San Marino ose Luksenburgu, por jo Malta, pasi nuk është ndonjë skuadër që të motivon”, deklaroi Kuzhe për “Top Channel”. Kroati shtoi se, nëse do të ishte në dorën e tij, do të kishte shmangur përballjen me përfaqësuesen e vendlindjes, ndërsa nënvijëzoi se po pret me padurim fillimin e ndeshjeve kualifikuese. “Kam ardhur për të qenë trajneri i Shqipërisë për eliminatoret e Europianit. Ndeshjet e fundit të Botërorit 2010 i përdorëm për të krijuar një filozofi tonën. Baza e skuadrës do të jetë ajo që kemi përdorur më parë, e ndoshta mund të afrojë ndonjë emër të ri”, tha Kuzhe.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›