Armend Dallku: Në eliminatore preferoj Italinë ose Francën
Deklarata
Mbrojtësi 26-vjeçar shpreson që përfaqësuesja kuqezi të shmangë skuadrat skandinave
Në prag të shortit që do të hidhet nesër në Varshavë, e gjithë vëmendja është përqendruar te kundërshtarët e ardhshëm të Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2012. Pas trajnerit Josip Kuzhe dhe presidentit të FSHF-së, Duka, edhe mbrojtësi Armend Dallku ka zbuluar preferencat e tij për skuadrat që dëshiron të ketë përballë. Nga “kokat e grupeve”, 26-vjeçari kosovar dëshiron që të luajë me Italinë ose Francën, dy prej emrave më të mëdhenj në Kontinentin e Vjetër, të cilat janë edhe kampionia dhe nënkampionia në fuqi të botës. “Shpresojmë të përballemi me një prej përfaqësueseve të famshme europiane, si Italia, Franca apo ndonjë skuadër tjetër. Nëse shorti do të na vendosë kundër skuadrave të tilla, edhe për ne futbollistët, motivimi do të jetë më i madh; do të luanim dukshëm më mirë. Kjo për arsyen se dëshirojmë të tregojmë se edhe ne dimë të aplikojmë një futboll me nivel të lartë”, deklaroi Dallku për të përditshmen kosovare “Express”.
Lojtari i krahut të djathtë në repartin difensiv të Kombëtares ka folur edhe për skuadrat që do të ishte më mirë të evitoheshin: sipas tij, ekipet skandinave janë shumë të vështira për Shqipërinë dhe për të konfirmuar këtë fakt, mjafton të shohësh bilancin e përballjeve. “Kombëtarja jonë ka bilanc negativ me përfaqësueset e vendeve skandinave, si Suedia, Danimarka, etj. Për këtë arsye, shpresojmë t’u shmangemi këtyre kundërshtarëve”, theksoi Dallku, i cili shtoi: “Kur hidhet shorti, të gjitha kombëtaret kanë shanse të barabarta për kualifikim. Unë shpresoj të kemi fat me goglat, në mënyrë që kundërshtarët të jenë të përballueshëm dhe të realizojmë ëndrrën që Shqipëria të kualifikohet”. Në fund, lojtari i Vorsklas foli edhe për kroatin Josip Kuzhe: “Trajneri po punon mirë me skuadrën. Ai ka një program shumë të mirë, ka afruar lojtarë të rinj dhe kjo është mjaft pozitive”.
#