Timparano bën Dinamon me krahë, arratisen blutë
Fitojnë në shtesë 1-0 në Ersekë. Sot, supersfida Tirana-Vllaznia
Argjentinasi Timparano bën Dinamon me krahë, në një çast kur u duk se ishte momenti i një gjysmëhapi fals për kryesuesit. Por tashmë blutë arratisen në krye me 14 pikë nga ndjekësi më i afërt dhe do të ndjekin qetësisht sfidat e tjera të javës së 20, ku Besës dhe Tiranës i është imponuar të mos gabojnë më, për të mos humbur hapin e Dinamos. I mbërritur në merkaton e dimrit te Dinamo, Timparano i ka dhënë tri pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Pikërisht atëherë kur pritej vërshëllima e fundit e gjyqtarit kryesor, Albano Janku, e cila do të mbyllte ndeshjen në një barazim të hidhur, që kishte parë një Dinamo në vështirësi për të shënuar në Ersekë, përballë Gramozit vendas. Takimi u luajt në një terren të rënduar, që me kalimin e minutave bëhej gjithnjë edhe më i papërshtatshëm. Ndihej jo pak edhe pesha e një të ftohti të akullt, i stimuluar nga dëbora që kishte mbuluar qytetin juglindor. Megjithatë në fushë u panë dy skuadra kërkuese, ku vendasit kishin një epërsi të lehtë. Një gjë e tillë u vërejt dukshëm në pjesën e dytë, kur skuadra e drejtuar nga Agim Canaj vendosi diktatin në fushë, duke e mbyllur Dinamon në zonën e saj të rreptësisë. Gramozi krijoi një volum të madh loje, sulme të panumërta të ndërtuara nga aksione ku merrnin pjesë edhe mbrojtësit vendas. Por “muri” Kotorri ka qenë një pengesë thuajse e pakalueshme, pasi duket se ishte në një formë të shkëlqyer, duke mbajtur për 90 minuta të paprekur rrjetën e portës së tij. Skuadra e Dinamos u pa në vështirësi përballë presionit të madh të kundërshtarit dhe trajneri Shkëlqim Muça bëri tre zëvendësime, njëri prej të cilëve rezulton deçiziv, pasi zgjidhi edhe fatin e ndeshjes në limitet kohore. Bëhet fjalë për argjentinasin Timparano, i cili u aktivizua si zëvendësues në minutën e 72-të të lojës në vend të Fatjon Sefës. Koha e rregullt po shkonte drejt fundit dhe kur po hyhej në minutat shtesë, përmes një kundërsulmi, sulmuesi argjentinas shënon një gol të bukur, nga një pozicion i vështirë, duke i dhuruar Dinamos një fitore me peshë në një moment thuajse të papritur nga askush. Ky gol ka ndëshkuar rëndë Gramozin, i cili e ka dominuar totalisht lojën, ka krijuar raste të shumta për gol, por në fund i është dashur të dalë nga fusha e lojës kokulur. Një rezultat krejtësisht i pamerituar për vendasit, të cilët nuk mundeshin ta shmangnin nga fytyrat e tyre zhgënjimin e madh, pasi nuk morën frytet e një pune të konsiderueshme. Dinamo u shfaq cinike, duke marrë fitoren në minutat shtesë dhe duke marshuar përpara drejt titullit kampion. Por dhe këtë herë, u vu re loja e tyre që nuk bindi, edhe pse mori një fitore. Tashmë kolonjarët rrezikojnë shumë, pasi pozicionohen në vendin e parafundit, në mesin e zonës së ftohtë. Tashmë detyra e ndjekësve të Dinamos është e vështirë. Alternativa e vetme është fitorja. Tirana do të provojë fatin e para sot, në një supersfidë, kur do të duhet të presë në “Qemal Stafa” Vllazninë e Edi Martinit, të etur për pikë. Ndërsa Besa të dielën do të zbresë në fushë për t’u përballur me Kastriotin.
#