E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: Ishim madhështorë, jemi në lojë për gjithçka

TIRANE-Josip Kuzhe arriti të ndërtojë një superskuadër për ndeshjen e mbrëmshme ndaj Bjellorusisë, nga më të mirat që ka luajtur Shqipëria në vitet e fundit. Në fund të saj, tekniku kroat nuk i ka përmbajtur emocionet, ndërsa ka deklaruar se duhet të ishin shënuar më shumë gola, duke parë rastet e shumta të krijuara. "Ishte një ndeshje e shkëlqyer, nga e gjithë skuadra, - deklaroi Kuzhe. - Jam shumë i kënaqur, sepse nuk i lamë asnjë shans kundërshtarit. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen më shpejt, duke shënuar golin e dytë dhe kjo do të na bënte të ishim më të qetë. Megjithatë, shkoi gjithçka në mënyrë perfekte", shtoi ai.

I pyetur në lidhje me shanset që ka Shqipëria për kualifikim, Kuzhe u mundua të ishte i kujdesshëm. "Natyrisht që kjo fitore na fut në lojë për gjithçka. Por, ishte vetëm një fitore, sepse kemi rrugë të gjatë për të bërë", tha ai. Homologu i Kuzhes, gjermani Bernd Shtange, ka pranuar me sportivitet, se Shqipëria e meritoi plotësisht fitoren në takimin e mbrëmshëm. "Nuk kam çfarë të them, Shqipëria mori një fitore me meritë, - deklaroi ai. - Ne vinim në këtë ndeshje me 7 mungesa dhe asnjëherë nuk është e lehtë kur të mungojnë 7 vetë. Madje, mund të ishim ndëshkuar që në pjesën e parë. Unë do isha i kënaqur edhe me një pikë nga kjo ndeshje, por nuk arritëm. Shqipëria megjithatë nuk vodhi asgjë, sepse e kërkoi fitoren dhe e mori", u shpreh tekniku i Bjellorusisë. "Ishte një ndeshje mjaft e mirë dhe e merituam, - deklaroi kapiteni i kombëtares shqiptare Altin Lala. - Duhet të shënonim më shumë gola, sepse sot vërtet që krijuam shumë. Gjithashtu, dua të falënderoj tifozët, sepse sot kanë qenë të mrekullueshëm. Shpresoj të jenë kështu në çdo ndeshje", shtoi kapiteni.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›