Sa e madhe kjo Shqipëri

Kombëtarja shqiptare të shtunën mbrëma e ka shfaqur njërën prej ndeshjeve më të mira të viteve të fundit. Kuqezinjtë kanë qenë fantastikë ndaj Bjellorusisë, të cilën e mposhtën me meritë me rezultat minimal, 1:0, në ndeshjen kualifikuese të Euro 2012.
Plot raste, dy shtylla, dy gola të anuluara, dhe një tjetër i vlefshëm i Hamdi Salihit, e karakterizuan triumfin e madh të ekipit të Josip Kuzes. Kjo fitore e ngrit Shqipërinë në pozitën e tretë në Grupin D me 8 pikë, sa ka edhe Bjellorusia.
Shqipëria e ka kontrolluar lojën 90 minuta duke krijuar raste të shumta. Loja ka nisur me ‘projektilin’ e Ervin Bulkut, ndërsa në fund të 45 minutëshit të parë shënohen dy mundësi të mira: Lorik Cana e goditi tërthorësen nga gjuajtja e lirë, kurse Salihi për pak nuk e gjeti golin, në minutën e fundit.
Pjesa e dytë ka filluar me ritëm të njëjtë. Agolli pati një gjuajtje të fuqishme, ndërsa Salihi lëshoi disa raste.
Mirëpo, mundi i heroit Kuqezi nuk shkoi huq, pasi që ai e gjeti golin e shumëpritur në minutën e 62-të, kur e shfrytëzoi për mrekulli një gabim të mbrojtjes kundërshtare, për t’i quar në trans tifozët e flaktë të Shqipërisë, të cilët morën notën 10 në këtë ndeshje.
Ky ishte goli i parë që e pësoi Bjellorusia në këto eliminatore. 10 minuta më vonë, pas një kombinimi të jashtëzakonshëm të vendësve, Salihi, i cili gjatë ndeshjes shënoi dy gola, që iu anuluan, e goditi vetëm shtyllën.
Bjellorusët ishin sikur të humbur në këtë ndeshje. Sigurisht, këtu ndikuan shumë edhe 5 mungesat që pati ky ekip në stadiumin ‘Qemal Stafa’.
Sfida e radhës e Shqipërisë do të jetë ajo e 7 qershorit, kur do ta vizitojë Bosnje e Hercegovinën, në ndeshjen vendimtare të Kuqezinjve në këto eliminatore.
Grupi D
Rezultatet
Shqipëria – Bjellorusia1:0
Luksemburgu – Franca0:2
Bosnja e H. – Rumania2:1
Tabela
1. Franca12 pikë
2. Bjellorusia8
3. Shqipëria8
4. Bosnja e H.7
5. Rumania2
6. Luksemburgu 1