E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Test i veshtire, por ja vlen

www.albania-sport.com - “Është një test i vështirë. Përpara kemi një ekip të fortë dhe duhet të motivohemi shumë”. Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, është i vetëdijshëm për nivelin e vështirësisë së takimit me Irlanën e Veriut, ndaj një kundërshtari që në renditjen aktuale të FIFA-s ndodhet në vendin e 40-të, ose më saktë 56 vende më mirë se Shqipëria, e 96-ta.

Trajneri Kuzhe, i cili gjatë gjashtë ndeshjeve të tij me Shqipërinë, përballoi me sukses Danimarkën (1-1) e Portugalinë (2-1, me një gol të pësuar në minutat e fundit), nuk ka humbur asnjë nga tre miqësoret e zhvilluara si “bosi” i kuqezinjve, madje duke vendosur edhe një rekord historik me fitoren 6-1 kundër Qipros, takimi i fundit i zhvilluar në “Qemal Stafa”, duke marrë parasysh faktin se ndaj Estonisë (1-1) luajtëm në Talin.

“Natyrisht, ndeshja kundër Irlandës së Veriut është një takim në kuadrin e përgatitjeve, por ne do të përpiqemi të arrijmë diçka. Gjithmonë ne përpiqemi të pëmirësojmë diçka nga programi ynë. Irlanda e Veriut është një kundërshtar i vështirë dhe unë po përpiqem të krijojmë një atmosferë të mirë. Në lidhje me të ardhmen, ndeshja kundër Irlandës së Veriut është me të vërtetë e rëndësishme, pasi ne duam të ndërtojmë mënyrën e lojës tonë”, - tha Kuzhe, i cili nënshkroi për herë të dytë një kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit, pikërisht në nëntor të vitit të kaluar.

“Janë dy momente që unë duhet të veçoja nga kjo miqësore. Sigurisht, që unë do të dëshiroja të fitonim. Do të ishte shumë bukur për ne ndaj kundërshtari të fortë. Në këtë moment unë mund të mendoja si një njeri egoist, por unë personalisht jam shumë i lumtur, dhe mendoj se dhe lojtarët janë të lumtur të laujnë kundër ekipeve të forta. Unë përsonalisht i pëlqej kundërshtarët e fortë. Mendoj se Federata (Shqiptare e Futbollit) ka bërë një punë të madhe që ka gjetur këtë kundërshtar”, - shtoi Kuzhe, i cili mori detyrën si trajner i Shqipërisë, dhjetë muaj më parë,në maj të vitit 2009.

“Do të luajmë të përqëndruar në mbrojtje, që të kemi mundësi të shmangim sulmin irlandezoverior, i cili është i fortë. Do të doja që këtë ndeshje ta shihnim si një test për eliminatoret e Kampionatit Europian që kemi përpara. Besoj se do të bëjmë një punë të mirë dhe do t’ia arrijmë qëllimin. Preferoj që skuadra te zhvillojë lojë kompakte, lojë grupi dhe individualitetet do te doja që të ndihmonin në ketë skuadër. Nuk mund të them ende një formacion pasi kemi një problem dëmtimi me Canen. Unë kam parashikuar dhe një zgjidhje nëse ai do të mungojë, por gjithsesi do të pres deri ditën e ndeshjes të shohim se çfarë do të ndodhe me rekuperimin e tij”, - theksoi Kuzhe, nën drejtimin e të cilit Shqipëria ka zhvilluar gjashtë ndeshje ndërkombëtare, tri zyrtare dhe tri miqësore.

I pyetur për refuzimin e mbrojtësit të Bokumit në Bundesligën 1 gjermane, Mërgim Mavraj, Kuzhe, si një diplomat i regjur, pohoi se tashmë e ka harruar kosovarin dhe se është në kërkim të një talenti tjetër për ta vendosur në zemër të mbrojtjes.

“Kjo histori ka mbaruar për mua. Nuk dëshiroj të shpenzoj kohën duke folur për një njeri që nuk dëshiron të luajë për ekipin tonë Kombëtar. Nëse një lojtar nuk ndjen asgjë për flamurin e vendit të tij, kjo i përket atij, por nuk dëshiroj ta bëj pjesë më të historisë sime. Gjithsesi, më duhet të rifilloj sërish kërkimet e mia, pasi në atë pozicion (në qendër të mbrojtjes) ne kemi nevojë për lojtarë. Megjithatë ju duhet të jeni të përgatitur për çdo rast, - tha Kuzhe.

Irlanda e Veriut është kundërshtari i parë i Shqipërisë për vitin 2010, edhe pse takimi është veçse një miqësore, ndaj një kundërshtari që rikthehet në “Qemal Stafa” pas plot 17 vjetësh, qysh nga fitorja 2-1 e irlandezoveriorëve në shkurt të vitit 1993 (gol i Altin Rrakllit) , ndërkohë që takimi i fundit midis dy formacioneve – një fitore 1-0 për Shqipërinë, gol i Altin Haxhit – u luajt në Curih të Zvicrës, për shkak të vitit të mbrapshtë 1997 në Shqipëri.

Ndaj Irlandës së Veriut, Shqipëria është ndeshur 8 herë, të gjitha këto ndeshje zyrtare. Bilanci i përballjeve është në favor të irlandezeve, të cilët kanë arritur 5 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje, pikërisht në takimin e fundit midis nesh, në vitin 1997.


BILANCI ME IRLANDËN E VERIUT

07.05.1965, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 4-1
Trajner: Zyber Konçi
Shënues: Robert Jashari
El.KB 1966

24.11.1965, Tiranë
Shqipëri-Irlandë V. 1-1
Trajner: Loro Boriçi
Shënues: Mehdin Zhega
El.KB 1966

15.12.1982, Tiranë
Shqipëri-Irlandë V. 0-0
Trajner: Shyqyri Rreli
El.Euro 1984

27.04.1983, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 1-0
Trajner: Shyqyri Rreli
El.Euro 1984

09.09.1992, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 3-0
Trajner: Bejkush Birçe
El.KB 1994

17.02.1993, Tirana
Shqipëri-Irlandë V. 1-2
Trajner: Bejkush Birçe
Shënues: Altin Rraklli
El.KB 1994

14.12.1996, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 2-0
Trajner: Astrit Hafizi
El.KB 1998

10.09.1997, Zyrih
Shqipëri-Irlandë V. 1-0
Trajner: Astrit Hafizi
Shënues: Altin Haxhi
El.KB 1998

Bilanci: 8 ndeshje; 1 fitore, 2 barazime, 5 humbje. Golaverazhi: 4-13. Golashënuesit e Shqipërisë: Robert Jashari, Mehdin Zhega Altin Rraklli, Altin Haxhi

SHQIPËRIA ME KUZHENË

ZYRTARE
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1

MIQËSORE
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0

Bilanci: 6 ndeshje; 1 fitore, 3 barazime, 2 humbje. Golaverazhi: 10-9


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 02 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›