E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe, “eksperiment” kundër Malit të Zi



Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, bëri të ditur gjatë një konference shtypi listën e “gjatë” prej 26 lojtarësh të thirrur për dy ndeshjet miqësore ndërkombëtare të radhës, ato me Malin e Zi në Podgoricë, më 25 maj dhe me Andorrën, më 2 qershor. Trajneri iu përgjigj një numri të madh pyetjesh të gazetarëve.
Lista e propozuar nga trajneri i dytë kroat në stolin e Shqipërisë (i pari ka qenë Oto Bariç) nuk ka shumë ndryshime nga ajo që Kombëtarja ka pasur në eliminatoret e Kampionatit Botëror apo në miqësoren e fundit kundër Irlandës së Veriut.

PESË TË RINJ
Gjithsesi, janë tre fytyra të reja në vijën e sulmit: Bekim Bala (Vllaznia), Ahmed Jonuzi (Vorskla Poltava, Ukrainë) dhe Parid Xhihani (Zorja Lugansk, Ukrainë). Dy prurje të reja janë dhe mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bicaj, e mesfushori i Laçit, Emiljano Veliaj. Shqipëria ka zhvilluar këtë vit një miqësore të fituar ndaj Irlandës së Veriut, 1-0, me golin e Ervin Skelës, një ekzekutim perfekt nga goditja e lirë. Shqipëria në ranglistën botërore të FIFA-s për muajin prill, pozicionohet në vendin e 80-të, ndërsa në Europë, Kombëtarja jonë është e 39-ta (lë pas 14 vende). Nga ana tjetër Mali i Zi renditet i 65-ti në FIFA, ndërsa Andorra e 201-ta. Takimi i parë zyrtar i kuqezinjve në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012-s është me Rumaninë në Bukuresht, më 4 shtator të këtij viti.

MIQËSORJA E DYTË
Kjo është miqësorja e dytë me Malin e Zi, madje malazezët janë kundërshtarët e parë të Shqipërisë në historinë ndërkombëtare të futbollit, pavarësisht se si pjesë e ish-Jugosllavisë, ata nuk mund të konsideroheshin një shtet. Ndeshja e zhvilluar në Shkodër përfundoi 5-0 për Shqipërinë (22 shtator 1946: golat nga Juka 2, Teliti 2 dhe Bizhuta), pak javë përpara se ajo të fitonte Kampionatin Ballkanik në “Qemal Stafa” nën drejtimin e trajnerit serb Ljubisha Broçiç, trofeu i parë, pas atij të fituar nga Medin Zhega në vitin 2000 në “Rothmans Cup” në Maltë.

KUJDES NGA ANDORRA
Andorra modeste është një histori e hidhur për Shqipërinë e veçanërisht për trajnerin e fundit shqiptar të Kombëtares, Sulejman Demollari, i shkarkuar pas humbjes 2-0 në vitin 2002.
Andorra është një skuadër thuajse amatore dhe ka fituar vetëm 3 takime në historinë e saj, një prej tyre ndaj Shqipërisë. Kuzhe pranoi faktin se e njihte këtë detaj, madje theksoi se ndaj Andorrës do të luhej seriozisht. “Duhet të bëjmë kujdes! Mund të ndodhë gjithçka”. Për trajnerin kroat të përfaqësueses këto do të jenë miqësorja e pestë dhe e gjashtë, ku deri tani në katër të parat ka koleksionuar 2 fitore (Qipro, Irlanda e Veriut) dhe 2 barazime (Gjeorgji, Estoni), duke mos e njohur shijen e hidhur të humbjes.

MIQËSORET ME KUZHENË
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0

LISTA

PORTIERE
Isli Hidi Kryvbas (Ukrainë)
Samir Ujkani Novara (Itali)
Portieri i tretë (përcaktohet të hënën)

MBROJTES
Andi Lila Tirana (Shqipëri)
Armend Dallku Vorskla Poltava (Ukrainë)
Kristi Vangjeli Aris Selaniku (Greqi)
Ansi Agolli Kryvbas (Ukrainë)
Lorik Cana Sunderland (Angli)
Ditmar Bicaj Tirana (Shqipëri)
Endrit Vrapi Besa (Shqipëri)
Debatik Curri Vorskla Poltava (Ukrainë)

MESFUSHORE

Ervin Bulku Kryvbas (Ukrainë)
Klodian Duro Apollon Limasol (Qipro)
Ervin Skela Tus Koblenz (Gjermani)
Jahmir Hyka Mainz 05 (Gjermani)
Gilman Lika Boluspor (Turqi)
Emilian Vila Dinamo (Shqipëri)
Emiljano Veliaj Laçi (Shqipëri)
Gjergj Muzaka Tirana (Shqipëri)

SULMUES

Erjon Bogdani Kievo (Itali)
Hamdi Salihi Rapid i Vienës (Austri)
Edmond Kapllani Tus Koblenz (Gjermani)
Elis Bakaj Dinamo (Shqipëri)
Bekim Bala Vllaznia (Shqipëri)
Ahmed Jonuzi Vorskla Poltava (Ukrainë)
Parid Xhihani Zorja Lugansk (Ukrainë)

Trajner
Josip Kuzhe

Kuzhe: Skela, edhe pa ekip na shërben

Kapiteni dhe fantazisti i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, tani që Tus Koblenz, skuadra e tij aktuale, ra nga Bundesliga 2 në të 3-ën, është edhe pa ekip. Por, a do të jetë ai në dispozicion të trajnerit për ndeshjet eliminatore të Euro 2012, në rast se mesfushori me përvojë 33-vjeçar nuk do të gjejë ekip tjetër?
Kuzhe: “Ai (Ervin Skela) është një lojtar me përvojë të madhe dhe na shërben shumë. Skela thuajse nuk ishte aktivizuar në katër muajt e fundit, por kundër Irlandës së Veriut (mars 2010) ai ishte më i miri në fushë. Gjithsesi, me sa di unë janë disa ekipe që janë duke e kërkuar atë”. Me 13 gola të realizuar, Skela është shënuesi i dytë më i mirë i Kombëtares, pas Alban Bushit (14), por nëse Bushi nuk thirret prej kohësh, Skela është ende aktiv dhe përvoja e tij vlen shumë. Goli i tij i fundit ishte pikërisht ai në ndeshjen e fundit të Kombëtares sonë: një goditje e lirë e ekzekutuar në mënyrë mjeshtërore në fitoren 1-0 kundër Irlandës së Veriut.

“Mali i Zi si Rumania”

Dy ndeshjet miqësore ndërkombëtare të radhës, ato me Malin e Zi në Podgoricë, më 25 maj dhe me Andorrën, më 2 qershor në shtëpi, kanë një kuptim të veçantë për trajnerin e Shqipërisë, Josip Kuzhe, sidomos parë nën këndvështrimin e fushatës kualifikuese të Euro 2012, ku përfaqësuesja jonë ndodhet në një grup me Francën (finalistja aktuale e Kampionatit Botëror 2010), Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë e Luksemburgun. Trajneri Kuzhe: “Jam i kënaqur me zhvillimin e miqësoreve me këtë dy kundërshtarë. Mali i Zi është i ngjashëm me Rumaninë dhe po kështu Andorra ka formatin e Luksemburgut. Do të përfitojmë shumë, pavarësisht se me çfarë gjendje do të vijnë lojtarët”.

Beqaj, veshkat e lënë jashtë

Trajneri Kuzhe kishte parashikuar Arjan Beqaj si portierin e parë në miqësoret kundër Malit të Zi dhe Andorrës, përkrah Isli Hidit (nuk luan prej shumë ndeshjes te Krivbasi në Ukrainë) dhe Samir Ujkanit (titullar te Novar e ngjitur në Serinë B në Itali). Por veterani i Anorthosis Famagusta nuk mundi t’i bashkohej grupit të 26 lojtarëve të thirrur nga trajneri i Kombëtares. Kuzhe shpjegoi: “Arjani më lajmëroi dje në mbrëmje se nuk mund të vinte dot, pasi kishte probleme me veshkat”.

17 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›