E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Omari: “PS-së i duhet vullneti i PD-së për të vënë në lëvizje Venecian”

Konstitucionalisti: Komisionin e Venecias e vënë në lëvizje institucionet kryesore

Eljona Ballhysa
Konstitucionalisti i njohur, Luan Omari, ka bërë të ditur dje se Partia Socialiste nuk mund të vërë në lëvizje Komisionin e Venecias. Sipas tij, PS-së i duhet vullneti politik i Partisë Demokratike për të ankimuar çështjen e hapjes së kutive të votimit në Komisionin e Venecias, që është organ këshillimor i Bashkimit Europian për çështjet e interpretimit të Kushtetutës dhe ligjeve të ndryshme. Luan Omari ka qenë përfaqësues i Shqipërinë pranë Komisionit të Venecias për rreth tetë vite. Omari shpjegon edhe katër mënyra për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias. Sipas tij, këtij komisioni mund t’i drejtohen vetëm institucionet kryesore shtetërore, dhe jo partitë politike.
Deklarata
“Komisioni i Venecias mund të vihet në lëvizje nga Presidenti i Republikës, nga Këshilli i Ministrave, nga kryeministri në emër të tij, ose nga ministrat, zakonisht ai i Drejtësisë, me autorizim të kryeministrit, nga kryetari i Parlamentit dhe nga Gjykata Kushtetuese, por kjo e fundit vetëm në rastin kur ka në dorë të gjykojë një çështje”, -është shprehur Omari. Pra, që Partia Socialiste t’i drejtohet Venecias, sipas konstitucionalistit Omari, nevojitet vullneti i maxhorancës. “Varet nga vullneti i saj; sigurisht, po të duan nuk e kërkojnë, por nuk mund të thonë që nuk kemi mundësi ta kërkojmë, sepse nuk na lejohet”, - ka qartësuar Omari. Kjo deklaratë e tij rrëzon qëndrimin e kryeministrit Berisha, i cili është shprehur se qeveria, ai apo maxhoranca, nuk mund t’i drejtohet Venecias për hapjen e kutive, pasi sipas tij, kjo është një kërkesë e PS-së. Procedura e shqyrtimit të një çështjeje në Komisionin e Venecias është që pas dërgimit të një ankimimi në Komisionin e Venecias nga një shtet anëtar i Këshillit të Europës, oponentët hartojnë opinionet e tyre. Më pas Komisioni i Venecias shqyrton çështjen dhe del me një variant përfundimtar që është në formë rekomandimi dhe jo detyrues për t’u zbatuar.
Shqyrtimi
Kërkesa e PS-së për hapjen e kutive është shqyrtuar pak ditë më parë nga ekspertë ligjorë të Komitetit Shqiptar i Helsinkit, të cilët, në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së Komitetit kanë dalë me një deklaratë në të cilën bëhet e ditur se hapja e kutive të votimit nuk shkel as Kushtetutën dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ekspertët ligjorë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit argumentojnë se Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të cenoheshin nëse në objektin e hetimit të komisionit hetimor parlamentar do të parashikohej shqyrtimi dhe vlerësimi i bazueshmërisë ligjore të vendimeve të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pengesë për dialogun dhe zgjidhjen e çështjes është mungesa e vullnetit politik, ndërsa shpreh sigurinë se transparenca e zgjedhjeve do t’i shërbente çtensionimit të situatës, funksionimit normal të Parlamentit dhe përpjekjeve të përbashkëta drejt integrimit europian. “KSHH konstaton se, për të gjithë është e qartë se sipas nenit 77 të Kushtetutës, ngritja e komisionit hetimor është e detyrueshme, kur kjo kërkohet nga ¼ e të gjithë deputetëve dhe shpreh keqardhjen që kundërshtitë lidhur me objektin e këtij hetimi nuk mundësuan ngritjen e tij. KSHH mendon se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk e pengojnë komisionin hetimor që të këqyrë dhe të shqyrtojë dokumentacionin zgjedhor, përfshirë këtu edhe fletët e votimit. Ne mendojmë gjithashtu se veprimi i mësipërm nuk cenon ndonjë parim kushtetues, siç mund të ishte për shembull ndarja dhe balancimi i pushteteve, pavarësia e Gjyqësorit etj. Ato do të cenoheshin nëse në objektin e hetimit do të parashikohej shqyrtimi dhe vlerësimi i bazueshmërisë ligjore të vendimeve të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. KSHH mendon se pengesë për dialogun dhe zgjidhjen e çështjes është mungesa e vullnetit politik”, - shkruhet në deklaratën e bërë publike për mediat nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Më tej theksohet se transparenca e zgjedhjeve është në përputhje edhe me nenin 23 të Kushtetutës, që garanton të drejtën e informimit, si dhe me ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, është e detyrueshme në një moment të tillë krize politike. “KSHH është i bindur se ekzistojnë mundësitë për dialog. Në një vend demokratik, siç jemi ne, kundërshtarët politikë nuk janë armiq. Në këtë vështrim do të duhet t’i jepet fund gjuhës së urrejtjes dhe akuzave të ndërsjella. KSHH mendon gjithashtu se për arritjen e dialogut është i domosdoshëm predispozicioni i të dyja palëve, por do të ishte e rekomandueshme që në këtë drejtim nisma të merrej nga maxhoranca qeverisëse”, - shkruhet në deklaratë.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›