E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe kthen Lalën e Beqajn në Kombëtare

Dy “veteranët”, gati për miqësoren kundër Irlandës së Veriut. Më 3 mars debuton Mërgim Mavraj

Josip Kuzhe bëri publike listën me 21 futbollistët që do të ketë në dispozicion për miqësoren e 3 marsit në “Qemal Stafa”, ku Shqipëria do të luajë me Irlandën e Veriut. Rikthimi në skuadër i kapitenit Altin Lala dhe i portierit Arjan Beqaj janë lajmet më pozitive për Kombëtaren në këtë ndeshje përgatitore, në kuadër të Euro 2012. Mesfushori i Hanoverit në Bundesligën gjermane sapo është rehabilituar nga një dëmtim muskulor dhe ai është i gatshëm të marrë vendin në qendër të mesit të fushës. Ndeshja e fundit e Lalës me fanellën e përfaqësueses ka qenë ajo e 28 marsit 2009, kur Shqipëria humbi 1-0 në “Qemal Stafa” përballë Hungarisë. 34-vjeçari ka qenë i pranishëm me skuadrën edhe në sfidën e luajtur katër ditë më vonë në Danimarkë, por nuk u aktivizua për shkak dëmtimi. Pas 11 muajve mungesë, kavajasi do të marrë shiritin e kapitenit në ekipin kuqezi, që përkohësisht ishte mbajtur nga fantazisti Ervin Skela. Një rikthim i rëndësishëm është edhe ai i Arjan Beqajt. Për herë të fundit, portieri ka qenë i grumbulluar në Kombëtare në mars të vitit 2009, për sfidën me Hungarinë: megjithatë ai nuk arriti të luante, për shkak të një dëmtimi shumë të rëndë në shpatull, vetëm pak orë përpara takimit. Ndeshja e fundit e “gardianit” me Shqipërinë ka qenë barazimi historik 0-0 i 15 tetorit 2008 në Braga, përballë Portugalisë së yjeve, si Kristiano Ronaldo e Deko.

Trajneri Kuzhe ka konfirmuar se i cilëson të dy këta futbollistë të rëndësishëm për edicionin e ardhshëm eliminator. Eksperienca e madhe dhe klasi i tyre i lartë, pavarësisht moshës, do ta ndihmojnë skuadrën në Grupin D eliminator. Në miqësoren e së mërkurës së ardhshme do të regjistrohet edhe një debutim i rëndësishëm në radhët kuqezi. Bëhet fjalë për mbrojtësin e skuadrës së Bundesligës, Bokumit, Mërgim Mavraj. Dy vjet pasi u pajis me pasaportë shqiptare, më në fund 24-vjeçari është bindur që të përfaqësojë Kombëtaren tonë në arenën ndërkombëtare. Ai cilësohet si një element shumë i rëndësishëm për repartin difensiv: deri më tani, në qendër të mbrojtjes janë “sakrifikuar” Lorik Cana dhe Debatik Curri, dy lojtarë që mund t’i shërbejnë më shumë skuadrës në mesin e fushës.

Për sa i takon pjesës tjetër të kontingjentit, drejtuesi kroat i stolit ka ruajtur me fanatizëm të njëjtin grup lojtarësh, me të cilët ka punuar deri më tani. Në portë mungon Samir Ujkani, i dëmtuar, ndërsa numri 12 do të jetë Isli Hidi. Në mbrojtje janë grumbulluar Cana, Dallku, Vangjeli, Agolli e Lila, ndërkohë që nuk ka pasur hapësira për vlonjatin Franc Veliu. Në mesfushë, të rinjtë Hyka, Vila, Lika, Muzaka i janë shtuar boshtit të përbërë nga Lala, Curri, Bulku, Duro e Skela. Në sulm, Bogdani, Salihi, Kapllani e Bakaj do të luftojnë për një fanellë titullari. Dy të parët janë të preferuarit e Kuzhe, por ata duhet të bëjnë llogaritë me formën e shkëlqyer që po përjeton Kapllani te Tus Koblenci në Bundesligën 2 gjermane.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›