E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, sezon i dështuar, Në gjysmëfinale shkon Besa

Kupa Bardheblutë fitojnë 4-2, por vendos ndeshja e parë në Kavajë

Verdikti i 90 minutave të dyta të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë kanë afruar dështimin sezonal të Tiranës, e cila pasi e ka thuajse të sigurt shkurorëzimin si kampione në fuqi e Shqipërisë, nuk ka shansin as të konkurrojë për trofeun e dytë nga prestigji. Skuadra që do të vazhdojë më tej në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë do të jetë Besa, e cila e ka merituar plotësisht kualifikimin. Në “Selman Stërmasi” është luajtur një ndeshje shumë emocionuese. Protagonistë të kualifikimit ishin Bledar Mancaku dhe Daniel Xhafaj, madje me të njëjtën skemë realizimi, ashtu si në fitoren 2-0 të ndeshjes së parë të luajtur në Kavajë: gol nga pika e bardhë për durrsakun Mancaku, të pasuar me një gol të dytë të realizuar nga vlonjati Xhafaj. Pas një pjese të parë pa gola, por të shoqëruar me dy momente të bukura: silurë Daniel Xhafaj (Besa) në minutën e 37 dhe predhë-shtyllë e Julian Ahmatajt (Tirana) në minutën e 41, fraksioni i dytë ishte i tëri për t’u shijuar. Gjashtë gola, katër për Tiranën - e cila madje udhëhoqi deri në 4-0 deri në minutën e 67, matematikisht e kualifikuar deri në atë moment, dhe dy për Besën, e shoqëruar edhe me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq të Erbim Fagut (84’) të kavajasve. Ia vlen të kujtojmë se në ndeshjen e parë çerekfinale doli me karton të kuq mbrojtësi i Besës, Renato Arapi (43’). Skenari i golave është i denjë për një “thriller” për nga kronologjia dhe emocionet që dhuroi. Mbrojtësi i majtë i Tiranës, Julian Ahmataj, shënoi pa kaluar ende një minutë nga pjesa e dytë, golin e parë për 13-herë fituesit e Kupës, ndërkohë që katër minuta më pas, në të 50’, ishte Sebino Plaku që dyfishoi për bardheblutë, duke çuar rezultatin e përgjithshëm të dy takimeve në 2-2. Furia e formacionit Muka-Sengla nuk u ndal dhe ishte sërish Plaku, që pas një asisti të marrë nga Muzaka, fitoi një penallti të konvertuar në gol nga kavajasi Lila (52’). Dominimi vazhdoi me Ahmatajn (67’), i cili çon shifrat në 4-0 dhe rezultatin e përgjithshëm në 4-2. Por në minutë e 73’, ish-sulmuesi-bardheblu, Daniel Xhafaj nis prishjen e ëndrrës së Tiranës, ndërsa goli i Mancakut (80’) shuan gjithçka.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›