E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Si do të kompensojmë ish-pronarët

Ministria e Drejtësisë sqaron burimin financiar që do të përdoret për kompensimin

Ministria e Drejtësisë sqaron burimin financiar që do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve, duke përdorur shitjen e pronave publike, si dhe krijimin e një fondi të posaçëm. Në bashkëpunim me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ministria po përgatit një hartë dixhitale, duke evidentuar këto prona publike. Të ardhurat që do të krijohen nga shitjet e këtyre pronave do të përdoren në fondin për kompensimin. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, në një prononcim për gazetën “Shqip”, thotë se “fondi që vjen nga legalizimi do të shkojë drejtpërdrejti për kompensimin, ashtu edhe të ardhurat nga ankandi që mund të organizojë qeveria për të shitur një pronë publike”. Në lidhje me identifikimin e tokave publike, Nishani tha se Ministria e Drejtësisë, së bashku me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të kenë të gatshme hartën dixhitale gjatë këtij viti. “Ka një grup pune nga Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në mënyrë që brenda vitit 2010 të kemi një hartë dixhitale të çdo centimetri toke në Shqipëri. Kjo do të na ndihmojë që të mos të merret një vendim mbi një pronë, e cila ka pasur një vendim nga agjencia apo gjykatat”, sqaroi Nishani.

Burimi financiar

Ministri i Drejtësisë, duke marrë në konsideratë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për çështjen e pronave, tha se qeveria do të marrë në konsideratë të gjitha problemet e shfaqura nga kjo gjykatë. “çështjet e Strasburgut janë kryesisht civile të së drejtës së pronësisë. Në fakt nuk përfshin vetëm pjesën e administratës të ekzekutivit, por përfshin edhe vendime të gjykatave apo dhe të themi edhe implementimin e vendimeve të gjykatave. Nga konsultimet që kemi pasur me përfaqësues së Strasburgut janë kërkuar dy gjëra: së pari ka të bëjë me pasjen e një instrumenti real dhe funksional që të realizohet procesi i kompensimit të pronave, pasi njohja dhe kthimi është më i qartë”, tha Nishani, duke shtuar se problemi është kompensimi dhe këtë shqetësim qeveria e ka vënë në rrugën e zgjidhjes përmes një ligji të posaçëm që parashikon një fond special për kompensimin financiar. “Në fondin special qeveria është e detyruar të inkasojë çdo ditë një përqindje nga buxheti i shtetit, nga privatizimi i pronave publike. 10 për qind i privatizimit t’i shkojë fondit special. Fondi që vjen nga legalizimi të shkojë drejtpërdrejti në këtë fond, ashtu edhe të ardhurat nga ankandi që mund të organizojë qeveria për të shitur një pronë publike”, deklaroi ministri i Drejtësisë.

Harta dixhitale

Ministri tha se ligji parashikon se fondet e krijuara brenda një viti buxhetor, jo domosdoshmërisht mund të përdoren. Ato mund të transferohen në vitin pasardhës. “Pra ka një transferim të fondeve. Tashmë ka një fond konkret që parashikon nga i merr paratë dhe kjo është detyruese për çdo qeveri”, pohoi Nishani, duke saktësuar se aktualisht, në buxhetin afatmesëm që është planifikuar nga Komiteti i Planifikimit Strategjik, është parashikuar një rritje graduale nga buxheti shtetit. “Ky fond ka një autonomi për t’u përdorur nga Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pra nuk është pjesë e buxhetit, nuk kalon nëpër instrumentet e Ministrisë së Financave, por është në Agjencinë e Kompensimit të Pronave. Momenti i dytë është identifikimi i pjesëve të tokave publike, fizike, për t’i përdorur për kompensim. “Aktualisht edhe agjencia punon në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, pa pasur një detabazë të çdo prone në Shqipëri. është e domosdoshme të ketë një hartë. Ka një grup pune nga Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në mënyrë që brenda vitit 2010 të kemi një hartë dixhitale të çdo centimetri toke në Shqipëri”, tha ministri Nishani, duke saktësuar se kjo do të ndihmojë që të mos merret një vendim mbi një pronë e cila ka pasur një vendim të mëparshëm nga agjencia apo gjykatat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›