E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe, pasuesi i Ari Hanit?

Kroati njihet për pasionin e tij për paratë, për të cilat braktisi Ruandën. “Kumarxhiu”: “Kam stërvitur Bogdanin, Bariç më rekomandoi Shqipërinë”

“I kam të gjitha cilësitë e duhura për të drejtuar Shqipërinë, për të përzgjedhur lojtarët dhe bërë një ekip të mirë. Synimi im është që ta përmirësojë sa më shumë këtë ekip. Kam ambicie të mëdha”. Deklarata është e trajnerit kroati Josip Kuzhe (57 vjeç, 27 vjet eksperiencë si trajner), që mesa duket ka fituar “betejën” me bashkëkombasin e tij Ilija Lonçareviç (65 vjeç) dhe austriakut Peter Pakult (50 vjeç) për vendin vakant në krye të Kombëtares pas shkarkimi të holandezit Ari Han (15 prill 2009).
Ish-trajneri kampion i Dinamos së Zagrebit (2006), por me një eksperiencë punë në Gjermani, Australi e Japoni, i vlerësuar si një teknik inteligjent, pati një takim “kokë më kokë” me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me të cilin mesa duket ka gjetur dhe akordin formal, që rezultoi edhe një konferencë të improvizuar shtypi në ambientet e selisë së futbollit shqiptar, ku shfaqi edhe disa nga idetë e tij.
“Gjithë kohës që Oto Bariç ka qëndruar në Shqipëri, kam ndjekur vazhdimisht rezultatet e kombëtares suaj. Bariç më ka folur gjithmonë shumë mirë për futbollin shqiptar. Ishte ai që më shprehu dëshirën që unë të bëhesha trajneri i Shqipërisë, duke më shpjeguar shumë gjëra të tjera”, - tha Kuzhe, për të cilin ka dhënë konsiderata pozitive edhe ish-trajneri i Kombëtares shqiptari, Oto Bariç.
“Synimi më i madh për mua është, që nëse do të jem në krye të Shqipërisë, parësore është të kem rezultate. Oto Bariç më ka shpjeguar që me Shqipërinë mund të kesh arritje të mëdha”, - thkesoi Kuzhe.
Tekniku i ri (me 90 përqind Kuzhe), i pesti që do të drejtojë Shqipërinë që nga viti 2002, do të udhëheqë Kombëtaren shqiptare të futbollit për tri ndeshjet e mbetura për eliminatoret e Botërorit 2010 e komplet fushatën kualifikuese të Kampionatit Europian 2012.
Kuzhe, një adhurues i yllit të Milanit, brazilianit Kaka, ka pranuar mesa duket 300 mijë eurot e kontratës e e me “sakrificën” për ca muaj më shumë qëndrimi në “karantinën” shqiptare.
“Kam qenë unë ai që kam marrë Erjon Bogdanin të Rijeka në vitin 1999, duke besuar se ai ishte një lojtar i talentuar. profili që unë kam në kokë për një futbollist si Erion Bogdani, më ndihmon shumë për të krijuar një ide për lojtarët e tjerë shqiptarë. Mua më pëlqen individualizmi te lojtarët dhe për këtë mund të them se lojtarët shqiptarë janë individualistë të mirë. Janë të bukur në lojën e tyre, janë atraktivë. Por në anën fizike, pra të kondicionit të tyre, janë mundësitë për t’u përmirësuar”.
Më 6 qershor, Shqipëria do të ndeshet me Portugalinë për eliminatoret e Botërorit, dhe trajneri i ri ka vetëm 20 ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen, teksa është e natyrshme që lista e lojtarëve do t’i propozohet nga FSHF-ja.
“Synimi më i madh për mua është, që nëse do të jem në krye të Shqipërisë, parësore është të kem rezultate. Oto Bariç më ka shpjeguar që me Shqipërinë mund të kesh arritje të mëdha. Siç e tha edhe presidenti (Duka), unë jam një nga kandidatët e mundshëm për të drejtuar kombëtaren. Nëse do të jem trajner i Shqipërisë, vij për dy arsye tepër të forta: së pari, për anën profesionale dhe së dyti, dua të fitoj në drejtimin e Shqipërisë. Dua të arrij rezultate shumë të mira. Jam i lumtur nëse do të jem dhe se dua që të jetoj në Shqipëri, për t’i njohur sa më mirë njerëzit këtu. Dua që të ndihem mirë dhe të punoj për të arritur rezultate, sepse Shqipëria ka shumë talente”.
Kuzhe, i njohur edhe nofkën “kumarxhiu”, për shkak të pasionit të tij të hershëm për ruletin, ka drejtuar vetëm për pak muaj përfaqësuesen e Ruandës (tetor 2007-janar 2008), pavarësisht se federatën e vendit afrikan kishte nënshkruar një kontratë 3-vjeçare, duke zëvendëduar në detyrë gjermanin Mikael Nees, pasi ky i fundit nuk arriti ta kualifikojë Ruandën në finalet e Kupës së Afrikës 2008.
Në turneun e parë me Ruandën (Sesafa Cup të luajtur në dhjetor 2007 në Tanzani), arriti ta shpallë skudrën e tij nënkampione, duke humbur me penallti pas rezultatit 2-2 në kohën shtesë. Kuzhe tha atëherë për radion britanike “BBC”, se ai ndihej krenar për arritjen e tij. “Ne humbëm me penallti, pavarësisht se ne e meritonim të fitonim. Është një arritje e madhe për ne të arrijmë në finale. Tani ne duhet të përgatisim ekipin për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2010”.
Gjithsesi, Kuzhe e braktisi Kombëtaren e Ruandës (6 ndeshje; 4 fitore, 1 barazim, 1 humbje) pas vetëm dy muajsh punë, për t’ui drejtuar Japonisë, nga ku mori një ofertë prej 270 mijë eurosh në sezon prej JEF Junaitid. Sipas deklaratave të Kuzhes në gazetën kroate “Jutarni List”, ndarja me Ruandën ishte miqësore, ndërkohë që theksoi se “kaloi dy muaj të shkëlqyer në Ruanda, por nuk mund të refuzonte ofertën surprizuese të Japonisë”. Kuzhe u shkarkua nga drejtimi i skuadrës japoneze pas vetëm katër muajsh punë pas një humbjeje 3-0 kundër Uravës. Gjithsesi, Kuzhe gëzoi simpatinë e disa trajnerëve në Japoni. “Ai e nisi punën nga zero, pasi ekipit iu larguan disa lojtarë, por dhe klubi ndryshoi gjithë stafin e presidentin”, - tha Gertt Engels, trajneri i Uravës.
Ende nuk dihet më saktësi, nëse do të jetë Kuzhe trajneri i Shqipërisë, dhe a do ta braktisë ai Kombëtaren tonë, nëse ndonjë ekip do t’i ofronte pak më shumë se 300 mijë euro për dy vite punë.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›