Pesë skuadra në luftë për ti shpëtuar “vdekjes”
“Partizani ka nevojë për ty, eja dhe ti në stadium”. Kjo është thirrja e tifozëve të kuq drejtuar mbështetësve tjerë të tyre, në prag të ndeshjes të Partizanit me Elbasanin në “Qemal Stafa”, nga rezultati i së cilës do të varet edhe fati i qëndrimit në Kategorinë Superiore i të dyja skuadrave. Mospagimi prej disa muajsh i futbollistëve të “kuq” është një fakt i njohur, por në këtë vorbull kanë rënë edhe lojtarët e Elbasanit, pasi edhe këta kanë disa muaj pa u paguar, madje të enjten ata bojkotuan stërvitjen edhe për disa minuta. Në dy përballjet e para, Partizani ka qenë më superior, të paktën në ndeshjen në Elbasan. Sepse arriti të fitonte (java 22) falë një goli të të riut Bega, madje duke luajtur për më tepër se një pjesë loje me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Arbër Capës. Ndërsa në përballjen e fazës së parë (java 11) Partizani-Elbasani, 2-2, më shumë se rezultati i takimit, u fol për gafat e arbitrit ndërkombëtar Albano Janku. Në fillim ishte një penallti që nuk dha për të kuqtë për një faull ndaj Bakajt. Më pas, goli i Elbasanit shënohet pas një faulli dhe në fund nuk fishkëllen asgjë, pasi Arjan Sheta ndërhyn ndaj Marius Ngjelës. Madje, kthehet nga anësori dhe ia lë gjithçka në dorë atij.
Për Elbasanin gjithçka varet nga ndeshja me Partizanin. Edhe një barazim do t’u jepte goxha shpresa verdhebluve të Ramadan Shehut, duke llogaritur që në ndeshjen e fundit do të luajnë në “Ruzhdi Bizhuta” përballë Teutës, pa asnjë pretendim. Aktualisht Elbasani ndodhet në vendin e dhjetë në renditje, me 32 pikë, ku më së shumti kanë qenë barazimet, plot 14, që kanë vulosur këtë pozicion për elbasanasit. Elbasani është ekipi që rezulton të ketë numrin më të vogël të fitoreve. Verdheblutë kanë një numër rekord barazimesh, plot 14. Kurse përsa i përket humbjeve Elbasani ka vetëm 11 përkundrejt 17 të Apolonisë. Pesë skuadra luftojnë aktualisht në Superligë për mbijetesë. Duke iu referuar kalendarit, Apolonia dhe Bylisi (gjithmonë nëse i fitojnë që të dyja ndeshjet e radhës) janë favorite për të qëndruar, ndërkohë që Lushnja është skuadra më e rrezikuar (luan ndaj Vllaznisë dhe Partizanit). Sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit, Dy skuadra bien direkt nga Kategoria Superiore (vendet 11 dhe 12), ndërsa dy të tjera, vendet 9 dhe 10, do të luajnë ndeshjet e “play-out”-it ndaj skuadrave që do të renditen në vendin e 3-të dhe të 4-t në Kategorinë e Parë
Çmund të ndodhë me ekipet
Partizani
Do luajë ndaj Elbasanit dhe Lushnjës në dy takimet e fundit. Një trepikësh ndaj verdhebluve do të thoshte një siguri më e madhe drejt sfidës së fundit në “Roza Haxhiu”, ku të kuqtë mund të luajnë edhe për një barazim. Duhet theksuar se Partizani ka qenë edhe një nga ekipet ndaj të cilit arbitrat kanë gabuar më shumë.
Elbasani
Do të luajë me Partizanin dhe Teutën në dy takimet e fundit të këtij sezoni. Në dy përballjet me Partizanin ka barazuar në “Qemal Stafa” 2-2 në fazën e parë dhe ka humbur në shtëpi 0-1 në fazën e dytë. Ndërsa me Teutën njeh një humbje në shtëpi, 0-1, në fazën e parë (java 7) dhe një fitore në transfertë, 1-2 (java 18).
Lushnja
Lushnjarët do të luajnë ndaj Vllaznisë së Shkodrës dhe Partizanit në dy takimet e fundit. Me Vllazninë njohin vetëm humbje. Në javën e 10-të, 1-4 në fushën e vet dhe në javën e 21-të, 2-0 në Shkodër. Ndërsa me Partizanin ka humbur në javën e parë 0-1 në shtëpi dhe ka barazuar pa gola në javën e 12-të në “Qemal Stafa”.
Apolonia
Fierakët do luajnë ndaj Besës dhe Shkumbinit. Dy sfidat e mëparshme, ajo në fazën e parë dhe ajo në të dytën kanë përfunduar me nga një fitore shtëpiake për secilën (Apolonia-Besa 3-1; Besa-Apolonia 2-1). Ndërsa me peqinasit ka humbur në të dyja takimet, në transfertë 2-0 dhe në fushën e vet 0-1.
Bylisi
Ballshiotët do të luajnë me Shkumbinin dhe Dinamon në sfidat e fundit të kampionatit. Ndaj peqinasve, Bylisi ka fituar në Ballsh 3-1 në fazën e dytë dhe është mundur që në javën e parë të fazës së parë 4-1 në Peqin. Ndërsa me Dinamon kanë fituar në Ballsh 1-0 (java 11) dhe janë mundur në “Qemal Stafa” 5-1 (java 22).
JAVA 32/16.05.2009
Dinamo-Tirana
Vllaznia-Lushnja
Shkumbini-Bylis
Besa-Apolonia
Teuta-Flamurtari
Partizani-Elbasani
JAVA 33/ 23.05.2009
Tirana-Vllaznia
Bylisi-Dinamo
Apolonia-Shkumbini
Flamurtari-Besa
Elbasani-Teuta
Lushnja-Partizani
Renditja
Nr. Ekipi ND P
1. Vllaznia 31 63
2. Tirana 31 62
3. Dinamo 31 52
4. Teuta 31 44
5. Shkumbini 31 44
6. Besa 31 40
7. Flamurtari 31 36
8. Partizani 31 33
9. Apolonia 31 32
10. Elbasani 31 32
11. Lushnja 31 32
12. Bylisi 31 31
16 Maj 2009