Ky person akuzohet për zhdukjen e 2 miliard dollarëve nga banka
Prej dy ditësh, një nga lajmet kryesore të medias ndërkombëtare është ai për bankën zvicerane UBS. Gjigantit zviceran i është shkaktuar një humbje katastrofike prej 2 miliard dollarësh. Mendohet se ajo është realizuar nga një person i vetëm, punonjës i kësaj banke.
Ai është Kueku Adoboli, 31 vjeç, me origjinë nga Gana. Transaksionet e tij i kanë shkaktuar bankës gropën më të madhe në histori, plot 2 miliard dollarë. Dhe nuk ka të ndaluar. Aksionet e saj kanë rënë ndjeshëm, besimi i klientëve po ashtu. Megjithatë banka thotë se klientëve nuk u është prekur asnjë cent. Por humbjet do jenë krejt të bankës, e cila këtë tremujor do dalë me humbje.
UBS planifikonte të shkurtonte 3500 vende pune për të shpëtuar një shumë të tillë. Por ndodh tërmeti, e humbet atë shumë nga një person i vetëm, që tani është në prangat e policisë. Për ganezin dihet se ishte një njeri i dhënë shumë pas qejfeve. Në apartamentin e tij luksoz në Londër organizonte shpesh festa me femra të bukura. Fqinjët ankoheshin për këtë gjë. Por së fundi e kishte kuptuar se ishte në rrezik. Mesazhi i fundit që kishte postuar në Facebook ishte ky: Më duhet një mrekulli.
Babai i tij punonte në OKB, kurse vetë ai me punën që bënte merrte rreth 200 mijë sterlina në vit, plus 400 mijë të tjerë në bonuse.
Ende nuk dihet se si ai i humbi bankës kaq shumë para, por mësohet se ai ka përdorur të njëjtin tip bastesh si ai i një tjetër punonjësi që i shkaktoi në vitin 2008 bankës Societe Generale një humbje prej 4.9 miliard euro.