LB: Jo masa reciprociteti ndaj Kosovës Lindore!

Lëvizja për Bashkim (LB) në Kosovë ka kërkuar që të mos ketë tarifa kufitare për shqiptarët e tre komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të masave të reciprocitetit me Serbinë.
"Kjo masë e ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës e dëmton rëndë interesin e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës Lindore, respektivisht qytetarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës; kjo masë e ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës ndikon shumë keq në raportet dhe në komunikimin mes shqiptarëve të Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës Lindore; tregon edhe një herë se kjo qeveri e ngatërron, nuk e di apo nuk dëshiron ta dijë se ka interesa shtetërore, por ka edhe interesa kombëtare, të cilat shpesh nuk përputhen ndërmjet tyre", thekson LB.
Lëvizja për Bashkim kërkon nga qeveria e Kosovës që nga kjo masë të lirohen qytetarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të cilët kalojnë nëpër pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, ashtu siç ka bërë shteti serb me përjashtimin e pikat kufitare të veriut të Kosovës nga po e njëjta masë.
Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimit përmes një deklarate për mediat ka bërë të ditur se në konsultim me Qeverinë e Kosovës ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës miratimin e tarifave të policave kufitare me Serbinë, të cilat do të jenë me çmim reciprok me ato të Serbisë.