E Shtunë, 31 Tetor 2026

LB: Lëvizja Vetëvendosje shpërdoron paranë publike

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbetur me dy deputetë më pak. Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli, anëtarë të Lëvizjes për Bashkim, kanë braktisur Grupin e Albin Kurtit në Parlament. Të dy lëvizjet do të japin të martën qëndrimet për ndarjen mes tyre. Zyrtarë të Vetëvendosjes nuk besojnë se ka edhe deputetë të tjerë që do të largohen nga kampi i tyre. Nga Express më 20 shtator 2011 në ora 08:38

(E plotësuar) Lëvizja për Bashkim ka drejtuar të martën akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar si subjekt politik që shpërdoron paranë publike. Këto akuza të drejtuara nga kryetari i LB-së, Avni Klinaku, u bënë me rastin e bërjes publike të largimit të dy deputetëve të LB-së, Aurora Bakalli dhe Agim Kuleta, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Dy deputetët e LB-së, hë për hë nuk do t’i bashkohen asnjë grupi parlamentar, por do të veprojnë si të pavarur dhe do t’i përfaqësojnë interesat e Lëvizjes për Bashkim.

Avni Klinaku ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, duke shpërdoruar dhe përvetësuar fondin për mbështetje të subjekteve politike, e ka lënë Lëvizjen për Bashkim pa financimin e rregullt të paraparë nga institucionet shtetërore.

Në këtë mënyrë, ai ka thënë se edhe Lëvizjen Vetëvendosje e ka goditur sindromi i shumë partive politike në Kosovës, për shpërdorimin e parasë publike.

“Lëvizja Vetëvendosje nga buxheti i Kosovës në emër të fondit për mbështetje të subjekteve politike për vitin 2011, për të 14 deputetët, 12 të Vetëvendosjes dhe 2 të Lëvizjes për Bashkim, ka marrë 284 mijë e 410 euro. Kjo shumë për mandatin katërvjeçar për të 14 deputetët arrin në 1 milionë e 137 mijë euro. Nga ky fond Lëvizja Vetëvendosje nuk ia ka ndarë Lëvizjes për Bashkim asnjë cent, megjithëse sipas proporcionit, për dy deputetët e saj i takojnë 40 mijë euro në vit, respektivisht 162 mijë euro gjatë mandatit katërvjeçar”, ka thënë Klinaku.

Ai ka mohuar që vetëm çështja e parasë ka bërë që të ndahen rrugët e Lëvizjes për Bashkim nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që sipas tij, raportet mes këtyre dy subjekteve kanë qenë të brishta qysh moti.

Klinaku ka thënë se largimi i dy deputetëve të LB-së, nuk ka të bëjë as me rregulloren e fundit të miratuar në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me Lëvizjen Vetëvendosje edhe kur e kemi lidhur koalicionin parazgjedhor kemi pasur telashe të mëdha edhe në aspektin e pikëpamjeve politike, edhe kur e kemi bërë marrëveshjen për operim të përbashkët në grupin parlamentar po ashtu kemi pasur dallime dhe mosmarrëveshje, mirëpo kjo u vë kapak të gjithave, sepse me keqardhje po u themi se na ka goditur rëndë pozita ku ka rënë Vetëvendosja. Shpërdorimi i parasë publike, Lëvizjen Vetëvendosje e lenë pa parime”, është shprehur Klinaku.

Çështja e mosdhënies së financave Lëvizjes për Bashkim, sipas Klinakut, po zgjat tash e gjashtë muaj dhe vazhdimisht ka pasur kërkesa që të zbatohet marrëveshja për ndarjen e financave sipas formulës 12 plus 2, por sipas tij, krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshi edhe Albin Kurtin kanë refuzuar t’i japin këto para.

Klinaku ka thënë se për këtë nuk kanë dhënë kurrfarë arsye, por thjesht i kanë marrë paratë pa përfillur edhe mjetet që janë ndarë për dy deputetët e LB-së. Sidoqoftë, ai beson se ato para do t’i marrë Lëvizjes për Bashkim patjetër dhe për këtë do të merren juristët e angazhuar nga kjo parti.

Ikin nga Albini

Valmir Klaiqi
Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur e befasuar të hënën kur është informuar nga mediat se nuk do t’i kenë më 14 deputetë, por vetëm 12.

Dy deputetët e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Aurora Bakalli dhe Agim Kuleta, anëtarë të Lëvizjes për Bashkim, nuk do të jenë më pjesë e Grupit të Albin Kurtit në Parlament.

Ata tani do të jenë deputetë të pavarur që do të flasin vetëm në emër të Lëvizjes për Bashkim, subjekt politik që në zgjedhjet e fundit ka garuar në listë të përbashkët me Vetëvendosjen.

Deputetët që u larguan nga Grupi i Vetëvendosjes nuk thanë asnjë fjalë të hënën, ndërsa Lëvizja për Bashkim ka paralajmëruar një konferencë për media të martën, ku do të jepen arsyet për tërheqjen e dy deputetëve të saj nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi ka treguar të hënën për Express se për daljen e dy deputetëve nga Grupi parlamentar kanë marrë vesh nga mediat.

“Ne kemi marrë vesh prej medieve. Kryesia është duke e shqyrtuar situatën edhe nesër (të martën) do të mbajmë një konferencë për shtyp dhe do të dalim me qëndrime. Tash për tash nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar. Ende është duke u shqyrtuar dhe nuk më kanë dhënë ndonjë qëndrim për media”, ka thënë Vraniqi.

Ai tha se strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje të hënën janë mbledhur për të biseduar rreth largimit të dy deputetëve, ndërsa të martën do të flasin zyrtarisht për këtë çështje.

“Të martën, në ora 13:00, do të ketë konferencë për media dhe për këtë çështje aty do të merrni përgjigje”, ka thënë Vraniqi.

Duke folur për historikun e bashkëpunimit me dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim dhe Vetëvendosje, Vraniqi tha se ata qysh nga fillimi nuk janë shkrirë në Vetëvendosje.

“Ata kanë pasur qëndrime ndryshe, sepse ata kanë qenë subjekt tjetër politik. Asnjëherë nuk janë shkrirë në Vetëvendosje. Brenda Grupit parlamentar kanë qenë subjekt tjetër politik. E kanë ruajtur pavarësinë politike brenda Grupit parlamentar, prandaj edhe janë toleruar disa diferenca, sepse është normale të ketë diferenca”, tha ai.

Vraniqi thotë se liderë të Vetëvendosjes do të shprehin qëndrimin e tyre, pasi të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë Lëvizja për Bashkim. Ky subjekt politik i udhëhequr nga Avni Klinaku, do të mbajë konferencë për shtyp dy orë para zyrtarëve të Vetëvendosjes.

“Për këtë arsye, pa i dëgjuar arsyetimet e tyre pse kanë dalë, ne nuk mund të flasim zyrtarisht. E shohim çka po thonë ata, pastaj flasim ne. Ata e kanë konferencën në ora 11:00, e ne do të flasim në ora 13:00”, ka thënë një zyrtar i Vetëvendosjes.

Menjëherë pas daljes së dy deputetëve nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes, kanë filluar spekulimet se nga Vetëvendosja mund të ketë edhe rrjedhje të tjera të deputetëve.

Por një gjë e tillë, sipas Vraniqit, nuk mund të ndodhë, pasi vetëm këta dy deputetë nuk kanë qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk besoj. Këta kanë dalë si subjekt politik. Nuk besoj se kjo ka lidhje me ndonjë deputet tjetër. Deputetët e tjerë janë të Vetëvendosjes”, tha Vraniqi.
Deputeti Agim Kuleta para pak ditësh pati paralajmëruar për mundësinë e daljes nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes.

Arsyeja e deklarimit të tillë kishte të bënte me dokumentin pesëfaqësh të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilit asnjë deputet nuk mund të shprehë qëndrimin e tij personal në media, pa e marrë lejen e kryetarit Albin Kurti.

Kuleta kishte thënë se kjo rregullore e cenon pavarësinë e deputetit, gjë që, sipas tij, përbënte veprim jokushtetues dhe jodemokratik.

Lëvizja për Bashkim dhe Vetëvendosja kanë pasur qëndrime të kundërta edhe për çështje të tjera. Disa herë deputetët Kuleta dhe Bakalli kanë votuar ndryshe nga deputetët e Albin Kurtit.

Lëvizja për Bashkim është shprehur kundër aksionit të Vetëvendosjes kur ata sulmuan me domate Zëvendëskryeministren Edita Tahiri, në aeroportin “Adem Jashari”, pas kthimit nga raundi i gjashtë i dialogut me Serbinë, në Bruksel.

Të dy lëvizjet janë kundër këtij dialogu. Ato janë në favor të bashkimit kombëtar, por Lëvizja e Avni Klinakut konsideron se Veriu duhet të shkëmbehet me Luginën e Preshevës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›