Arrestohen vrasësit e Kreshnikut
(E plotësuar) Hetuesit e Njësitit Hetimeve Rajonale për Krime Serioze në bashkëpunim më hetuesit e Stacionit Policor të Pejës kanë zhvilluar aktivitete intensive operativo-hetimore, duke mbledhur informata në terren dhe duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarë të Pejës, kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarit e në vrasjen e Kreshnik Isufajt.
Policia ka arritur që të lokalizojnë vendstrehimin e të dyshuarve në fshatin Shkrel të Rugovës në një stan dhe më datën 20.09.2011 rreth orës 01:00 janë arrestuar personat e dyshimtë shtetasit Kosovar, D.K. rreth 25 vjeçar dhe B.K. rreth 21 vjeçar nga Peja.
Një ditë me herët ishte arrestuar F.G. rreth 22 vjeçar nga fshati Qyshkë i Pejës.
Policia e Pejës ka konfiskuar dy armë të zjarrta (pistoleta) që dyshohet se janë përdorur në vrasjen e shtetasit kosovar, Kreshnik Isufaj dhe plagosjen shtetasit Shqipërisë, Agim Peca. Të dyshuarit më vendim te Prokurorit janë ndaluar në ndalimin policor dhe rasti do të procedohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale DRP Pejë.
Tronditet Peja
Kreshnik Isufaj ka mbetur i vrarë në vend kur është qëlluar me armë zjarri.
Personi i cili dyshohet se i ka marrë jetën 23-vjeçarit nga Radavci i Pejës, është një bashkëmoshatar i tij.
Zyrtarë të Policisë në Pejë, jozyrtarisht kanë thënë të hënën për Express se personi që dyshohet se ka shtënë mbi këtë të ri, është Fisnik Gashi nga fshati Qyshk i Pejës.
Që ngjarja të jetë edhe më e rëndë, sipas organeve të rendit, viktima, në këtë rast, Kreshnik Isufaj, 21 vjeç, nuk ka pasur të bëjë asgjë me këtë rast.
I ndjeri ka qëlluar rastësisht në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar, në sheshin “Shkëlzen Haradinaj” në qendër të Pejës.
Policia dyshon se Kreshniku ka qëlluar në atë vend, pikërisht në momentin kur dy grupe rivale të rinjsh, janë kacafytur ndërmjet vete.
Sipas dyshimeve të para, ata mendohet se ishin duke qëruar hesapet e tyre të cilat për motiv kishin hakmarrjen.
Përveç tij, në vendin e ngjarjes, policia thotë se ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, shtetas i Shqipërisë. Ky person, i identifikuar si Agim Peca (1970) gjithashtu nuk ka të bëjë fare me rastin e vrasjes dhe kacafytjen e të rinjve pejanë ndërmjet vete. Edhe ai, sikurse viktima, kishte qëlluar rastësisht në atë vend.
Ky person është dërguar me urgjencë në Spitalin rajonal të Pejës dhe është duke u trajtuar nga mjekët, ndërkohë që merret vesh se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë e vrasjes së të riut Kreshnik Isufaj, sipas policisë, ka ndodhur rreth orës 13, kurse dëshmitarët okularë tregojnë për Express, panikun që ka përfshirë kalimtarët të cilët kanë qëlluar aty afër.
“Kam qenë brenda në postë kur kemi dëgjuar gjashtë të shtëna të pandërprera, kemi dalë menjëherë, kur kemi parë njeri të shtrirë në rrugë të cilit i kishte dalë gjaku. Një nga kalimtarët e ka futur në taksi dhe e ka dërguar në spital”, thotë ky dëshmitar për Express, i cili shton se kjo ishte një pamje e frikshme dhe e tmerrshme.
Një tjetër dëshmitar që e kishte parë ngjarjen thotë se këso pamje i sheh vetëm nëpër filma ku njerëz të armatosur ndiqen në mes vete nëpërmes qytetit.
Por ky rast ka mundur të jetë edhe më tragjik, pavarësisht se është humbur një jetë e pafajshme dhe është plagosur një tjetër person.
Kjo për faktin se plumbat e armës që dyshohet të jetë pistoletë, kanë depërtuar edhe brenda objektit të Postës së qytetit, pikërisht në kohën kur brenda kishte punëtorë por edhe qytetarë të rastit. Kjo pjesë është vend ku frekuentojnë shumë njerëz pasi që përreth ka një numër të madh të kafiterive.
“Më nuk guxoj të vij me fëmijë në këtë pjesë, e sidomos në postë”, thotë një qytetar tjetër pejan, i tronditur nga ky rast.
Ndërkohë, gjaku i viktimës ka qëndruar mbi asfalt deri në orët e mbrëmjes të së hënës, kur atë e kanë pastruar zjarrfikësit e qytetit të Pejës. Për këtë rast që tronditi qytetin e Pejës, policia arrestoi një person, ndërsa është në kërkim edhe të dy të dyshuarve të tjerë. Këta tre dyshohen se ishin duke u gjuajtur me armë ndërmjet vete.
Zëdhënësi Xhevat Ibraj, konfirmoi për Express se rasti ka ndodhur rreth orës 13, derisa në vendin e ngjarjes kanë mbetur dy të plagosur, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë më vonë.
“Rreth orës 13, të hënën, Policia ka pranuar informatën se në Qendër të Qytetit ka të shtëna nga armë të zjarrit, dhe dyshohet se ka persona të plagosur. Rasti ka ndodhur në prezencën e shumë qytetarëve dhe pastaj të dyshimtit janë larguar në drejtim të panjohur”, thotë zëdhënësi Ibraj.
Personat e plagosur, sipas komunikatës zyrtare të Policisë, menjëherë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për trajtim mjekësor, por si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, ka ndërruar jetë, Kreshnik (Enver) Isufaj (1988) lindur dhe banues në fshatin Radavc të Pejës. Personi i dytë i plagosur, Agim (Ukë) Peca (1970), lindur dhe banues në fshatin Has, Republika e Shqipërisë, është jashtë rrezikut për jetë.