E Shtunë, 31 Tetor 2026

LB: Ratifikimi kundër interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj

Lëvizja për Bashkim ka reaguar pas ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke theksuar se ajo është në kundërshtim me zgjidhjen e problemeve dhe normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj dhe jo në funksion të integrimit të serbëve të Kosovës.

“Duke pasur parasysh atë që përmban marrëveshja, Lëvizja për Bashkim konsideron se ajo është pikërisht në kundërshtim me synimet e deklaruara. Duke qenë e njëanshme, vetëm për serbët, me këtë marrëveshje bëhet legjitimimi i spastrimit etnik të veriut të Mitrovicës, legjitimimi i vazhdueshëm i spastrimit etnik në Kosovën Lindore dhe rritja e jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës. Me këtë marrëveshje, në fakt, nuk u zgjidhën problemet, por u krijua një status-quo e re, në të cilën serbët do të jenë në pozitë më të avancuar në hapat e mëtutjeshëm politik në funksion të defunksionalizimit të shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër, kjo marrëveshje nuk i kontribuon aspak integrimit të shoqërisë por, përmes krijimit të strukturave të ndara etnikisht e me autonomi të pacenueshme, bën rehabilitimin e distancës midis etniteteve të kësaj shoqërie. Lëvizja për Bashkim, me këtë rast, shpreh zhgënjimin e thellë që në mbështetje të kësaj marrëveshjeje, përveç koalicionit qeveritar, ishin edhe deputetët e partive opozitare, të cilët me votën e tyre mundësuan ratifikimin e saj”, thuhet në komunikatën e LB-së./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›