E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK: VV-ja ia qiti hijen e zezë vendit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dënuar, siç ka vlerësuar sjelljen vandale të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje sot në hapësirat para Kuvendit të Republikës së Kosovës, në prag të seancës së sotme parlamentare, ku u penguan të hyjnë në Kuvend shumë deputetë dhe vetë ambasadorja e SHBA-ve , e ftuar zyrtarisht që ta përcjellë këtë seancë.

“Dhuna dhe forma të tilla të sjelljes në dhe afër institucioneve të vendit, janë në kundërshtim me të gjitha parimet demokratike, të lirisë së lëvizjes dhe të kryerjes së punës nga të zgjedhurit e qytetarëve të Kosovës. Aktivistët e VV jashtë ndërtesës dhe deputetët e saj brenda sallës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kanë vënë hije të keqe vendit dhe kanë cenuar imazhin e institucioneve tona në sy të qytetarëve dhe të miqve tanë ndërkombëtarë”, është në një reagim nga AAK-ja.

AAK-ja i ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit që të jenë të përmbajtur, të besojnë në institucionet e Republikës së Kosovës dhe në punën plot sfida që është përpara, në kuadër të proceseve të rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë. “Rruga institucionale dhe ajo e koordinimit me miqtë tanë më të mirë ndërkombëtarë, është e vetmja alternativë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve dhe për zhvillimin e mëtejmë të vendit tonë, si pjesë e pandarë e familjes së madhe të vendeve euro-perëndimore”, është thënë në këtë reagim. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›