E Shtunë, 31 Tetor 2026

LB kërkon vazhdimin e dialogut politik

Lëvizja për Bashkim edhe një herë ka kërkuar që në dialogun politik në mes të Kosovës dhe Serbisë të diskutohet edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në mbledhjen e 7-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie të cilin e drejtoi Kryetari Avni Klinaku, u raportua për punën tremujore në aspektin organizativ dhe financiar nga Sekretari për Organizim, Valon Murati, përkatësisht, Sekretari për Financa, Fadil Fazliu.

Në këtë mbledhje u diskutua gjithashtu edhe për situatën politike, për raportin e LB-së me subjektet tjera politike dhe u caktuan detyrat për tremujorin e ardhshëm.

Sa u përket bisedimeve politike me Serbinë, u konfirmua edhe një herë qëndrimi i Lëvizjes për Bashkim se bisedimet politike janë e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb.

Mirëpo u tërhoq vërejtja se nëse në këto bisedime do të vazhdojë të anashkalohet çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore, ato nuk do të arrijnë ta zgjidhin problemin, por vetëm do ta ngrijnë atë.

Prandaj, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, si synim aktual i Qeverisë së Kosovës, nuk nënkupton domosdoshmërisht zgjidhje të problemeve ekzistuese midis tyre.

Në këtë mbledhje, me unanimitet, pjesë e Këshillit të Përgjithshëm është bërë edhe Kushtrim Sheremeti./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›