E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDD kërkon seancë për Veriun

Lidhja Demokratike e Dardanisë, nëpërmjet Grupit të saj Parlamentar, do të kërkojë debat parlamentar lidhur me strukturat paralele në vend, për të cilat Qeveria e Kosovës nuk po tregon gatishmëri që ato të shpërbëhen.

“LDD’ja është e bindur se funksionimi i strukturave paralele në veri të vendit tregon qartë se Qeveria e vendit nuk ka kapacitete për t’i luftuar ato dhe për të krijuar një hapësirë të sigurt për të gjithë banorët e atjeshëm”, theksohet në një komunikatë të LDD’së, që u lëshua pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, të hënën.

LDD’ja konsideron se me këto gjeste apo me këtë injorancë të treguar nga ana e institucioneve të Kosovës në raport me zhvillimet në vend, dëshmon se udhëheqësit e institucioneve të vendit nuk po e respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe po injorojnë betimin që kanë dhënë para popullit, se puna e tyre do të jetë në pajtim të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Dardanisë përsërit edhe një herë se veriu i Kosovës është jashtë kontrollit absolut të qeverisë së vendit, andaj është koha e fundit që udhëheqja institucionale të tregohet e përgjegjshme dhe të kryejë obligimet që i ka”, thuhet në komunikatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›