Beogradi përgatit ofensivë diplomatike për Kosovën

Ky vit do të karakterizohet me kërkesën e Beogradit për zgjidhjen për Kosovën dhe ky do të jetë problemi kryesor dhe më i vështirë, të cilin autoritetet e Serbisë synojnë ta zgjidhin.
Siç mëson gazeta “Blic” nga kreu i Qeverisë serbe, tashmë janë ndërmarrë hapat që menjëherë “një ditë pas shqiptimit të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të thirret seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB’së” dhe që të nisë “depërtimi dhe përparimi i shpejtë” në fillimin e negociatave dhe në gjetjen e zgjidhjes midis Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë për këtë gazetë të Beogradit një burim i afërt me autoritetet serbe, duke theksuar se pa këtë nuk do të jetë e mundshme të realizohet qëllimi strategjik i Serbisë - anëtarësimi në BE.
Edhe ekspertët serbë të politikës së jashtme kanë thënë se pa një zgjidhje për Kosovën, nuk mund të jetë jo vetëm i lehtë, por as i shpejtë, plani i autoriteteve serbe që të bëhet një depërtim i shpejtë: në zgjidhjen e problemit kryesor të Serbisë.
Gazeta konstaton se në rajon vetëm Rumania dhe Bosnja e Hercegovina nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa nga të tjerët vetëm Mali i Zi nuk e ka shkëmbyer ambasadorin me Prishtinën. Beogradi ndaj çdo hapi të bashkëpunimit të fqinjëve me Kosovën reagon negativisht dhe i përkeqëson marrëdhëniet në rajon.