LDK: Çdo shfrytëzim i parasë që nuk ka mbulesë është keqpërdorim

Deklarata e Zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në emër të kësaj Ministrie, dëshmon edhe një herë degradimin total të politikës së jashtme të Kosovës. Po ashtu dëshmon se Ministri Hoxhaj ka mbushur Ministrinë e tij me njerëz që nuk kanë as përgatitje profesionale e as përvojë në politikë të jashtme apo të komunikimit me publik. Kështu thuhet në një reagim të LDK-së, ndajë deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Këshilltari i ministrit Enver Hoxhaj, Artan Behrami, kishte reaguar ndaj deklaratave të deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani, ku deputetja kishte thëne se MPJ ka qenë dhe vazhdon të jetë shembulli më i keq i keqpërdorimeve në konkurse. LDK-ja kishte kritikuar MPJ-ne edhe per te gjetuart e Auditorit. Por, Behrami ka thënë se deputetja Osmani asnjëherë nuk është marrë me politikë të jashtme dhe, sipas tij, nuk ka ofruar asnjëherë vizion në këtë drejtim. Ai kishte thëne se akuzat e deputetes Osmani janë të pandershme pasi burri i Vjosës punon në një dikaster shumë të rëndësishëm brenda Ministrisë së Jashtme që nga themelimi i saj.
LDK-ja, thotë se deklarata e djeshme rreth keqpërdorimeve në Ministri të Punëve të Jashtme nuk janë vetëm të Vjosa Osmanit (si deputete dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së), por janë shqetësim i shprehur nga Lidhja Demokratike e Kosovës si subjekt politik rreth abuzimeve në këtë Ministri që janë gjetur nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
“MPJ ka deklaruar nëpërmjet zëdhënësit të saj se ato abuzime nuk qenkan keqpërdorime të parasë publike. Ia kujtojmë Behramit se çdo shfrytëzim i parasë publike që nuk ka mbulesë ligjore konsiderohet keqpërdorim i parasë publike sipas ligjeve në fuqi. Në çdo shtet normal, pas keqpërdorimeve të tilla jo vetëm që do të duhej të ofrohej dorëheqje e personave përgjegjës, por hetimet e instancave gjyqësore do të fillonin menjëherë. Prandaj, ne edhe njëherë i ftojmë institucionet relevante që ta hetojnë këtë Ministri”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Zëdhënësi Behrami, në emër të MPJ-së po ashtu ka deklaruar se deputetja Vjosa Osmani kurrë nuk është marrë me politikë të jashtme. Sipas LDK-së, ky zëdhënës nuk ka jetuar në Kosovë.
“Duhet t’ja kujtojmë zëdhënësit Behrami se Vjosa Osmani ka shërbyer pikërisht si këshilltare për politikë të jashtme e Presidentit të Republikës për pesë vite me rradhë, ka udhëhequr procesin e rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka punuar në hartimin e ligjeve të aplikueshme në fushën e politikës së jashtme, ka marrë pjesë në përzgjedhjen e ambasadorëve të parë të Republikës së Kosovës, ka qenë e angazhuar në kontakt me të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, është përfaqësuese e Kuvendit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ligjëron pikërisht lëndë që kanë të bëjnë me politikën e jashtme në Universitete vendore dhe ndërkombëtare, dhe vazhdon të punojë pikërisht në këtë fushë, të cilën edhe e ka specializuar, duke udhëhequr Këshillin e Ekspertëve për Politikë të Jashtme në LDK dhe duke shërbyer në Komisionin për Integrim Evropian në Kuvend”, thuhet tutje në reagim.
Përfundimisht, sipas LDK-së, presioni politik që Zëdhënësi Behrami në emër të MPJ-së ka bërë në drejtim të një shërbyesi civil apolitik, që është bashkëshorti i Znj. Osmani, është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Shërbimin Civil.
“Presionet e tilla politike ndaj të gjithë shërbyesve civil që nuk kanë hyrë në Ministri në mënyrë jashtëligjore, pa përgatitje profesionale e përvojë (sic është rasti i Zëdhënësit Behrami), dëshmon edhe njëherë se prioritet i vetëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme është politizimi i tejskajshëm i shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës”|.
Lidhja Demokratike e Kosovës i bënë thirrje edhe një herë MPJ-së që të ndalojë praktikat e tilla dhe të punojë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe në vend se të mundohet të mbulojë keqpërdorimet, të merret seriozisht me gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm. /Indeksonline/