E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e tenderëve nuk mbajti evidencë për të hyrat

Institucioni që shqyrton ankesat e kompanive që marrin punë në Institucione Publike, në vitin 2012 nuk ka mbajtur evidenca për të hyrat në baza mujore.

Organi Shqyrtues i Prokurimit mbledh të hyra nga ankesat e pranuara dhe gjobat e shqiptuara. Çdo palë ankuese depoziton një shumë prej 500€ dhe në momentin kur paneli shqyrtues merr vendim në dëm të palës ankuese, atëherë kjo shumë e depozituar mund të regjistrohet si e hyrë e OSHP-së. Por, Auditori Gjeneral, ka gjetur se Gjykata e tenderëve nuk kishte mbajtur evidenca të brendshme për të hyrat e realizuara ne përjashtim të raportit të Free Balancit, evidenca tjera Auditori nuk ka gjetur sa i përket të hyrave të realizuara për vitin 2012.

“Arsyeja e mos përgatitjes së raporteve sipas zyrtarit të të hyrave qëndron në atë se ka qenë i ngarkuar edhe me pozitën e zyrtarit të pasurisë dhe asistentit ekzekutiv. Në fillim të vitit 2013 zyrtari i të hyrave ka filluar mbajtjen e evidencave për të hyrat pasi që ai është liruar nga pozita e zyrtarit të pasurisë. Por, mos mbajtja e evidencave të përditësuara nga OSHP-ja për të hyrat e realizuara rrezikon cilësinë e raportimit të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo mund të ndikoj që prezantimi i të hyrave në PVF të jetë jo i plotë dhe i pa saktë”, thuhet në Raportin e auditimit për vitin 2012, që Auditori Gjeneral i ka bërë OSHP-së. Andaj, Auditori ka rekomanduar se kryetari duhet të monitoroj në vazhdimësi procesin për të siguruar se evidencat për të hyrat vetjake që të mbahen në mënyrë të plota dhe të saktë.

Për vitin 2012 OSHP ka pranuar 379 ankesa nga Operatoret ekonomik. Në pasqyra OSHP për këtë periudhë ka shpalosur 129,382 të hyra, nga të cilat 40,000€ euro janë të hyra nga gjobat ndërsa 89,138 euro janë të hyra nga ankesat e kompanive.

Ndryshe, sipas Auditorit, pasqyrat Financiare në të gjitha aspektet materiale paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë. Andaj i ka dhenë OSHP-së opinion të pakualifikuar. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›