E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Kryetari i Gjilanit arrogant ndaj këshilltarëve

Grupi i këshilltarëve i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, ka reaguar ndaj sjelljeve të kryetarit të komunës Qemajl Mustafa në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit. Në reagimin e LDK-së thuhet se raporti 6 mujor, janar-qershor 2013 i kryetarit të komunës i paraqitur para këshilltarëve komunal ishte raport shumë i mangët, sipërfaqësor, i padetajuar dhe pa të dhëna konkrete për zhvillimet e këtij 6 mujori.

“Konsiderojmë që raporti në fjalë i paraqitur ashtu si din ky pushtet nën dirigjimin e orkestrimin e premtimeve boshe të një qeverie në ikje, të kapluar pas panikut të humbjes, sjellja e sotshme tregon që këtë pushtet e ka kapur paniku dhe në vend të ofrimit të fakteve, këta paraqesin dokrra”, thuhet në këtë reagim.

Në komunikatë ceket se “Sjellja arrogante e të parit të komunës ndaj grupit të këshilltarëve tanë edhe një herë tregon fytyrën e vërtetë të këtij pushteti në ikje, që mundohet të palarat e tij t’i kaloj shkel e shko”.

Sipas tyre, Raporti i kryetarit të komunës ishte raport më tepër i natyrave elektorale duke u prezantuar në formën sikur para simpatizantëve të partisë së tij.

“Fjalimi i tij në kuvend për dy orë radhazi, ishte sikur të dëshironte të vë para një lodhje kuvendin, me qëllim që të parandaloj marrjen serioze të kuvendit komunal me problemet e mëdha të kësaj qeverisje”, thuhet në reagimin e LDK-së./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›