E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Qeveria e ka degraduar shëndetësinë

Grupi i Ekspertëve të LDK-së konsideron se gjendja në institucione shëndetësore është degraduar krahasuar me vitet e kaluara. Për këtë ata fajin ja hedhin Qeverisë së vendit.

Koordinatori i këtij grupit, Avdyl Krasniqi ka thënë se problemi kryesor në këtë kohë në institucionet shëndetësore publike është mungesa e barnave, që shumica e pacientëve duhet të i blejnë ato.

“Temë e paevitueshme është furnizimi me barna, kemi përsëritur disa herë, por për fat të keq rezultatet e këtyre vërejtjeve tona janë minimale. Kështu që furnizimi me barna dhe me material shpenzues është në nivelin më të ultë të mundshëm. Mungojnë ilaçet dhe materiali shpenzues mjekësor elementar për funksionim të reparteve më vitale siç janë qendrat emergjente sallat operacioni, kujdesi intensiv, sallat e lindjes e tjerë. Pacientët e hospitalizuar janë të detyruar të blejnë shumicën e ilaçeve, duke përfshirë këtu edhe substancat narkotike, të cilat në çdo vend të botës distribuohen vetëm nëpër spitale dhe janë nën kontroll rigoroz të institucioneve spitalore”, ka thënë Krasniqi.

Më tej ai ka shtuar se e njëjta gjë është edhe për materialin për kirurgji, ku mungojnë penjtë kirurgjik.

Duke folur për reforma shëndetësore, Krasniqi ka thënë se edhe pse ministri ka premtuar se do të bëhet një reformë ligjore edhe pas dy vitesh kjo nuk ka dhënë asnjë rezultat praktik.

Sipas tij miratimi i Ligjit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, pa Ligjin për Sigurime Shëndetësore dhe pa sistemin informativ shëndetësor, e bënë këtë ligj të pazbatueshëm në praktikë.

Ky ligj është kontestuar edhe nga Sindikata për Shëndetësi dhe tash gjendet i pezulluar në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka folur edhe për drejtorët e klinikave që janë ushtrues detyre, e sipas tij kjo po shkakton probleme.

Krasniqi po ashtu ka thënë se një problem tjetër është numri i madh i specializantëve të cilët janë të papunë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›