E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK dhe VVtri kushte për zgjidhjen e krizës

PRISHTINË–Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, njëherësh ushtruesi në detyrë i presidentit, ka përfunduar sot takimet me përfaqësues të partive LDK dh VV në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e krizës politike.

Mediat kosovare bëjnë me dije se në takim është diskutuar rreth kandidatit për president, ndryshimit të nenit të Kushtetutës që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit dhe mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka qënë i vetmi që ka folur për mediat pas këtij takimi. Ndërkohë që ka bërë me dije se lëvizja Vetëvendosje e ka kushtëzuar bashkëpunimin e saj me subjektet politike për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike me ndalimin e tri proceseve që i konsideron të dëmshme në Kosovë. Zbatimi i Planit të Ahtisarit, bisedimet me Serbinë dhe privatizimi i aseteve kombëtare, janë tri proceset që kjo lëvizje kërkon që të ndalohen.

“Ne shpjeguam se çfarëdo bashkëpunimi i Lëvizjes Vetëvendosje me subjektet politike do të kanalizohet nëpërmjet këtyre tri kushteve që i kemi ne, nëpërmjet këtyre tri proceseve që janë shumë të rëndësishme për Lëvizjen Vetëvendosje, pra që të ndalet Plani i Ahtisarit, të ndalen negociatat me Serbinë dhe që të ndalen shitjet e pasurive tona”,- ka deklaruar Konjufca.

Edhe pajtueshmërinë për zgjedhjen e presidentit, ai e lidh me këto tri procese. “Ne mendojmë se kushdo që të ishte president, jashtë Behxhet Pacollit, do të vlenin të njëjtat kushte, sepse këto mendojmë se nuk janë të rëndësishme as për presidentin si të tillë, as për Lëvizjen Vetëvendosje, por mendojmë se ky është interesi i Kosovës dhe ne pajtohemi vetëm me atë forcë politike apo me atë personalitet që e mishëron këtë interes të Kosovës që po mundohemi ta artikulojmë ne”,- është shprehur deputeti i Vetëvendosjes .

Ndërkohë edhe për ndryshimet kushtetuese, lëvizja VV ka kushte. Konjufa ka thënë se duhet të ndërrohen së pari dy nene që i mohojnë Kosovës vetëvendosjen e jashtme dhe atë të brendshme, sikur që është neni 1.3 dhe neni 143 i Kushtetutës së Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ndërkohë ka njoftuar se takimet që ka pasur me ambasadorin amerikan ka dhënë kushtet e LDK-së për dalje nga kriza rreth zgjedhjes së presidentit. Ndryshimi Kushtetutës, ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet dhe caktimi i afatit se kur do të mbaheshin zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›