Mobilizohen për zgjidhjen e problemit të mbeturinave
Drejtues të Komunës së Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë gjatë një takimi të mërkurën në Mitrovicë janë dakorduar për bashkëveprim, me qëllim të ngritjes së pastërtisë në territoret e këtyre komunave.
Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka thënë se menaxhimi i mbeturinave është një prej prioriteteve të pushtetit lokal, mirëpo gjithsesi se është i rëndësishëm bashkëpunim në nivel rajonal, si mënyra më e mirë për realizimin e projekteve të kësaj fushe dhe gjetjen e donatorëve të ndryshëm.
Kastrati potencoi se ka shumë kompani dhe organizata të ndryshme që kanë shprehur interesimin për investime të kësaj natyre, mirëpo ende nuk është bërë diçka më tepër.
“Projektet për riciklimin e mbeturinave janë shumë të shtrenjta, andaj edhe progresi është më i ngadalshëm në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, po ashtu ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në nivel rajonal sa i përket menaxhimit të mbeturinave.
“Problemi i mbeturinave dhe pastërtisë nëpër qytete është shumë i madh, andaj do të shtojmë angazhimin e përbashkët për të bërë një zgjidhje sa më të mirë”, ka thënë Lushtaku.
Sipas tij, drejtuesit e këtyre tre komunave bashkërisht do të shqyrtojnë ofertat më të mira që vijnë nga kompani dhe organizata të ndryshme sa i përket projekteve që kanë të bëjnë me mbeturinat dhe riciklimin e tyre.
“Ne jemi të gatshëm që të shqyrtojmë dhe gjejmë edhe hapësirën më të përshtatshme për ndërtimin e një fabrike për riciklimin e mbeturinave”, u shpreh Lushtaku.
Edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ka potencuar rëndësinë e zgjidhjes së problemit të mbeturinave.
Ai shtoi se janë bërë shumë biseda, propozime, oferta, por ende nuk është lëvizur konkretisht.
“Të gjithë bashkë shumë më lehtë do të gjejmë investitorë serioz që do të na ndihmojnë në këtë drejtim”, ka thënë Mulaku. /kosovapress/