LDK feston 20-vjetorin e themelimit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të shënojë të mërkurën 20-vjetorin e themelimit të saj.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se për shënimin e kësaj date fillojnë aktivitetet me homazhe te varri i themeluesit të kësaj partie, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ndërkohë, homazhet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, por homazhet e para do të fillojnë nga Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu.
“Ftoj qytetarët dhe të gjithë njerëzit e mirë të Kosovës që nesër të jenë pjesë e këtyre homazheve dhe manifestimeve përcjellëse”, tha Haziri.
Në orën 10, Presidenti Sejdiu në Shtëpinë e Pavarësisë do të organizojë pritje për themeluesit dhe autoritetet e ftuara. Ndërsa në orën 10:30 do të vendoset gurthemeli i godinës së LDK’së.
Solemniteti qendror i 20-vjetorit të themelimit të LDK’së do të mbahet në orën 11:30, me manifestimin e madh me qytetarë, anëtarë, simpatizantët dhe të ftuar të tjerë, bëri të ditur Haziri.