E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: KQZ të mos ndikohet nga partitë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e njeh qëndrimin dhe vendimin e KQZ-së dhe udhëzimet e KZAP-it, por kërkon që vendimet e këtyre institucioneve të pavarura, të mos ndikohen nga subjektet politike.

“Partia Demokratike e Kosovës mbështet aprovimin e rezultateve nga KQZ në 17 komunat e Republikës së Kosovës, ku në këto zgjedhje lokale Partia Demokratike Kosovës ka dalë fituese. Po ashtu dua të ju informoj se ne si Parti Demokratike e Kosovës e njohim qëndrimin dhe vendimin e KQZ-së, e njohim udhëzimet e KZAP-it dhe kërkojmë që këto udhëzime të mos influencohen nga subjektet politike, meqë janë institucione të pavarura dhe të emëruar nga vetë presidenti i vendit dhe si të tilla duhet të respektohen”, tha Enver Hoxhaj, sekretar për marrëdhënie me publikun në PDK, në një konferencë për gazetarë.

Hoxhaj theksoi se PDK ka fituar dy herë në zgjedhjet e fundit dhe është e interesuar që KQZ-së dhe KZAP-it t’u lejohet ta bëjnë punën e tyre dhe që çdo vendim që merret nga këto institucione ka fuqinë e plotë. “Si parti shtetformuese, si parti qeverisëse dhe si parti reformatore e këtij vendi, jemi të interesuar që këto institucione ta kenë mbështetjen e potë të të gjitha subjekteve politike dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

PDK ftoi kryetarët e komunave dhe elektoratin e saj, që të mbështesin fuqishëm sugjerimet, udhëzimet dhe vendimet që vijnë nga KQZ-ja.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, paralajmëroi se nëse KQZ vendos për rivotim, PDK-ja në Gjilan dhe ai personalisht si kandidat për kryetar i këtij subjekti, nuk do të dalin në zgjedhje.

“Nëse KQZ po e zëmë e merr vendimin që në Gjilan të ketë zgjedhje të reja, unë ju siguroj që PDK-ja e Gjilanit është e vendosur që të mos e maltretojë zgjedhësin e saj, zgjedhësin e komunës, të cilët nuk duan më të dalin për herë të tretë në zgjedhje, sepse nuk ka arsye”, tha Mustafa, transmeton KosovaPress.

Por Hoxhaj tha se vendimet për PDK-në i merr Kryesia e partisë. “Qëndrimi zyrtar që jepet në qendër, vlen për gjitha komunat”. Ai i ftoi të gjitha degët që të jenë sa më racionalë dhe të respektojnë vendimet e KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›