Rishpallet konkursi për ekipet përgatitore
Në kuadër të planit të veprimit për realizimin e Procesit të Decentralizimit dhe Reformimin e Pushtetit Lokal në Kosovë, përkatësisht krijimin e komunave të reja, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, kanë marrë vendim për rishpalljen e konkursit për anëtarë të ekipeve përgatitore komunale për Veriun e Mitrovicës.
“Arsyeja për rishpalljen e konkursit ka qenë interesimi i shtuar i qytetarëve të Mitrovicës edhe pas mbylljes së afatit konkurrues për të qenë anëtarë të EKP’ve. Gjithashtu, rishpallja e konkursit është bërë me arsyen që të sigurohen sa më shumë kandidatë që plotësojnë kushtet e parapara në konkurs”, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Anëtaret e Ekipit Përgatitor komunal kanë për detyrë kryesore përgatitjen e lokalitetit të Mitrovicës, për zgjedhjet lokale, identifikimin e infrastrukturës ligjore dhe administrative për nevojat e lokalitetit dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët lidhur me përgatitjet për themelimin e Komunës.
Gjithashtu detyrë e anëtarëve të EKP’ve është që të bashkërendojë, analizojë dhe të propozojë politika për MAPL’në dhe ICO’në lidhje me zhvillimet dhe përgatitjet për themelimin e komunave te reja dhe të ndërmarrin të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar krijimin e resurseve dhe strukturave administrative për themelimin dhe funksionimin e komunave të reja.
Procedura e intervistimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve udhëhiqet nga MAPL’ja dhe ICO’ja.