LDK-ja në Zhur me kandidat të vetin për kryetar të Prizrenit

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) Dega në Zhur, ka propozuar Nijazi Ademajn për kandidat për kryetar të Prizrenit. Emri i Ademajt është dërguar edhe në Kryesi të LDK-së në Prishtinë.
Kryetari i LDK-së në Zhur, Shukri Vezaj tha se Nijazi Ademaj është propozuar për kryetar të Prizrenit, pasi që Dega e LDK-së në Prizren, nuk ka përfillur kërkesën për të dalur me një kandidat të përbashkët. “ Po është e vërtet që LDK-ja në Zhur ka dal me kandidatin e vet për kryetar të Prizrenit. Kryesia ka propozuar që Nijazi Ademaj të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Prizrenit”, tha Vezaj për “PrizrenPress”.
Dega e LDK-së në Prizren dhe ajo në Zhur, nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët në përzgjedhjen e kandidatit për kryetar të Prizrenit.
Këto dy degë të LDK-së, në mungesë të gjetjes së një kandidati të përbashkët, veç e veç, i kanë dërguar propozimet e tyre në Prishtinë për kryetar të Prizrenit. LDK-ja në Prizren, javën e kaluar në Kryesinë e LDK-së në Prishtinë, ka dërguar dy emra për kryetar të Prizrenit, atë të Eqrem Kryeziut dhe Hanifi Muharremit, ndërkaq Dega e LDK-së në Zhur, e ka dërguar emrin e Nijazi Ademajt.
Kryetari i Degës LDK-së në Zhur, Shukri Vezaj, tha se propozimi i Nijazi Ademjat për kryetar të Prizrenit, është bërë pasi që LDK-ja në Prizren nuk është përgjigjur në kërkesën e Degës së tyre për të gjetur një kandidat të përbashkët për kryetar të Prizrenit. “Ne kemi dal me një propozim që secila degë të dalë me propozimet e tyre dhe në fund në mënyrë të bashkuar të përcaktohemi për një kandidat, mirëpo Dega e LDK-së në Prizren nuk është marrë me propozimin tone dhe ne kemi vazhduar rrugën tonë politike”, tha Vezaj.
Ai tregon se propozimi i Degës së LDK-së në Zhur është dërguar në Kryesi në Prishtinë, para dy propozimeve të Degës së Prizrenit. ” Emrin e Nijaziut e kemi dërguar një javë para dy emrave të Degës së Prizrenit”.
Vezaj tha se caktimi i kandidatit për kryetar të Prizrenit, ka mbetur në duart e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së në Prishtinë. “Varet prej Këshillit se për cilin nga këta kandidatë do të përcaktohet”, tha Vezaj.
Sipas tij, nëse nuk përzgjedhet Nijazi Ademaj, si kandidat për kryetar të Prizrenit, LDK-ja në Zhur, do të shqyrtojë se a do të përkrah ndonjë kandidat tjetër për kryetar të Prizrenit. “Nëse nuk përzgjedhet Nijazi Ademaj, atëherë ne do të ulemi dhe të shikojmë se a do të përkrahim apo jo kandidat tjetër të LDK-së”, tha Vezaj./Indeksonline/