Kryeministri Thaçi uroi qytetarët për Ditën e Paqes

Kryeministri Thaçi ka thënë se 12 Qershori, Dita e Paqes, është datë historike e shënimit të kurorëzimit të suksesshëm të luftës çlirimtare dhe në të njëjtën kohë shënon hapjen e kapitullit të paqes para 14 vjetësh.“Në këtë ditë të shënuar për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, me pietet dhe krenari të lartë kujtojmë luftën dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve të lirisë, heronjve tanë, optimizmin, shpresën dhe rezistencën e gjithë qytetarëve të Kosovës që kontribuuan me të gjitha format e qëndresës për Ditën e Paqes, Ditën e Çlirimit të Kosovës”, thuhet në urim.
Tutje thuhet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe e pastër, që arriti të fitojë mbështetjen gjithëpopullore, si dhe mbështetjen e aleancës veriatlantike të NATO-s.
“Sot, me respektin më të lartë institucional dhe qytetar, shprehim mirënjohjen dhe falënderimet më të thella në mënyrë të veçantë për të gjithë luftëtarët dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftuan për çlirimin e Kosovës”, thuhet në urimin që vazhdon me pohimet se në Ditën e Paqes Kosova ka hyrë në vitin e gjashtë të Pavarësisë, me institucione demokratike më të konsoliduara, me përkushtimin institucional për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, me vendosmërinë për implementimin e reformave të gjithmbarshme në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, të gjitha këto angazhime në funksion të përmbushjes së plotë të agjendës evropiane të Kosovës.
“Në këtë përvjetor të rëndësishëm, institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës shprehin falënderimin e thellë për fushatën e bombardimeve të NATO-s, si intervenimin më të suksesshëm ushtarak dhe humanitar në fund të shekullit njëzet.
Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, është duke luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Katërmbëdhjetë vjet nga Dita e Lirisë, Dita e Paqes, Republika e Kosovës është gjithnjë më e sigurt dhe më afër përmbushjes së kritereve për t’u anëtarësuar në institucionet euratlantike, në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB.”, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçit./Indeksonline/