LDK pret dakikun !

Partia Demokratike e Kosovës duhet t’i bëjë llogaritë shumë më mirë se deri më tash, kjo për faktin se opozita në vend po zotohet se do t’i bashkërendojë forcat që të kërkojë votëbesimin e Qeverisë “Thaçi 2”, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Madje, opozita do të presë deri në krijimin e një situate të re për ta përdorur instrumentin e votëbesimit.
Ndërkohë, analistët politikë vlerësojnë se zgjedhje të parakohshme mund të ketë edhe me ligjin aktual, por nuk mund të ketë nëse AAK-ja ia kryen do punë, siç po ia kryen aktualisht PDK-së.
Po ashtu sipas tyre, është momenti i fundit që të shpëtohet vendi nga qeverisja jodemokratike. Arben Gashi nga LDK-ja ka thënë se do të bashkërendohen me opozitën që në momentin e duhur të kërkojnë votëbesimin e qeverisë “Thaçi 2”. “Ne nuk mund ta rrëzojmë qeverinë pa bashkërendim edhe me forcat tjera opozitare ,që kjo qeveri të shkojë sa më parë që është e mundur”, ka thënë Gashi, shkruan Zëri.
Sipas tij, duhet të krijohet situata që të kërkohet votëbesimi.“Nëse nuk krijohet situata për ta kërkuar votëbesimin, është humbje për opozitën. Pra, duhet të ruhet momenti dhe të përdoret instrumenti në momentin e duhur”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë sa më parë për zgjedhje të reja për të formuar një Kuvend me deputetët që vijnë nga vota e qytetarëve dhe jo nga votat e vjedhura nga militantët partiakë, e po ashtu për të formuar një qeveri me ministra që i kanë duart e pastra dhe që kanë kredibilitet në sytë e qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, Erzen Vranqi nga Vetëvendosje, ka thënë Lëvizja Vetëvendosje do të përkrahë një iniciative të tillë gjithsesi. Ai ka thënë se kjo Lëvizje ka kërkuar dorëheqjen e qeverise që nga shtatori i vitit 2011, dhe vazhdon ta kërkojë vazhdimisht, pasi që siç shprehet ai, sepse kjo qeveri po e shkatërron Kosovën në çdo aspekt, si ekonomik e politik, po ashtu edhe territorial, me privatizimin e egër të pasurisë publike të Kosovës dhe me negociata pa kusht me Serbinë. Andaj, sipas tij, është imperativ që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje, në mënyrë që të shpëtojë Kosova.
“Ne kemi pasur iniciativë të tillë në nëntor 2011, ku kemi kërkuar përkrahjen e partive të tjera opozitare, por përgjigja e tyre atëherë ka qenë që si opozite si kemi numrat”, ka thënë Vraniqi.
Ndryshe, nga lëvizja Vetëvendosje, zyrtar të AAK-së kanë thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje më këtë legjislacion zgjedhor në fuqi.
Avni Arifi nga AAK-ja ka thënë se kjo parti është më e gatshme se kurrë që të shkojë në zgjedhje, porse sipas tij, pa reformë të mirëfilltë Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje. “Nëse duam zgjedhje të parakohshme, duam zgjedhje ta përmirësojmë dhe ndryshojmë jetën e qytetarit. Nëse shkohet në zgjedhje pa reformë nuk i bëjmë nder qytetarit nëse e ftojmë të votojë me të njëjtin sistem. Zgjedhjet nuk duhet të vijnë si traumë për shoqërinë”, ka thënë Arifi. Ai ka ftuar spektrin politik që të mobilizohet ta kalojë reformën zgjedhore dhe pastaj të dalin opsionet për zgjedhje të parakohshme. /Indeksonline/