LDK “rikthen” Llukarin, LDD thotë se ikën individë

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një konferencë me gazetarë, njoftuan se kryesia dhe anëtarësia e Nëndegës së Pestë të LDD-së në Llukar të Prishtinës “janë kthyer në shtëpinë e vjetër”. Nga ana tjetër, LDD thotë se i kanë ikur vetëm disa individë dhe jo tërë nëndega.
“Sot kemi të bëjmë me një ditë të veçantë për LDK-në...Jemi në 20-vjetorin e partisë, 20-vjetorin e shënimit të aktiviteteve që lidhen me përfundimin e dekadës së dytë si aktivitet politik. Ne, të mërkurën e ardhshme, do të organizojmë aktivitete ditore... dhe kësaj ceremonie të madhe, sot i bashkëngjitet, z. Krasniqi, si kryetar i nëndegës, ish-zëvendësministër në qeveri, ish-drejtor në Administratën komunale të Prishtinës, dhe njëri nga figurat politike të LDK-së”, ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Hafiz Krasniqi, kryetar i deritashëm i kësaj nëndege, ka thënë se nëndega e Llukarit, nga mbrëmë, është pjesë përbërëse dhe e pandashme e LDK-së. “Këtu shoh miq e shokë, me të cilët kemi ndarë aktivitetin e përbashkët për 20 vite dhe besoj që kjo do të jetë një moment i cili do të hapë sytë. Të gjithë ata të cilët mendojnë që e djathta duhet të konfirmohet dhe të reformohet, dhe pishtari i kësaj të djathte gjithsesi i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu që kjo anëtarësi besoj që e ka bërë hapin e duhur dhe do të jetë aktive ashtu si ka qenë për dekada të tëra”, ka thënë Krasniqi.
Por LDD mohon se e tërë nëndega e saj ka kaluar në LDK. “Mund të behet fjalë për kalime të individëve të caktuar nga LDD-ja në LDK, por assesi për kalimin e tërësishëm te degës, apo nëndegës në këtë subjekt politik”, tha Musli Mehaj, kryetar i LDD-së për Degën e Prishtinës.
Por Mehaj tha se Lidhja Demokratike e Dardanisë e kupton se në kohën kur qeverisja aktuale është zhytur ne parregullsi dhe korrupsion kalimet e tilla janë të mundshme, të kuptueshme në rend të parë për shkak të interesave personale të individëve. “Në këtë kohë, sigurisht se do të ketë njerëz endacakë, te cilët do të ndërrojnë partitë politike, sipas interesave personale”.
“Si subjekt me filozofi dhe sjellje konkrete demokratike ne, siç kemi respektuar te drejtën e shprehjes se vullnetit për anëtarësim në LDD, gjithashtu respektojmë edhe te drejtën e individëve të caktuar, pavarësisht se për kë bëhet fjalë, te dalin nga partia e jone dhe të zgjedhin alternativa të tjera për angazhime politike”, shtoi Mehaj.