E Diel, 1 Nëntor 2026

“L’Elisir D’Amore” rikthehet në TKOB – Një ftesë për të besuar se ndjenjat e vërteta nuk kanë nevojë për magji

Muaji i dashurisë sjell në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor një nga veprat më të dashura të repertorit operistik botëror: “L’elisir d’amore” të Gaetano Donizetti-t. Opera komike, e mbushur me ndjeshmëri, romantizëm dhe humor të hollë, rikthehet për publikun shqiptar në një produksion të ri skenik, që do të shfaqet nga 11 deri më 14 shkurt.

Ky produksion sjell në skenë dy kaste të shkëlqyera artistësh, duke bashkuar emra të spikatur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

Në rolin e Adinës, Enkeleda Kamani dhe Nina Muho ofrojnë një interpretim plot finesë vokale dhe ndjeshmëri skenike, ndërsa Galeano Salas dhe Matteo Mezzaro sjellin një Nemorino të brishtë, të sinqertë dhe thellësisht njerëzor.

“Jam shumë e lum,turq ë kemi punuar me një dedikim dhe jam e bindur që për publikun do të jetë shumë e dukshme emocioni”, u shpreh soprano, Nina Muho.

“Keni artistë që këtë vepër e këndojnë në La Scala dhe në teaterot më prestigjoze të botës”, tha baritoni Gëzim Mushkëta.

Opera rikthehet e plotë në skenën e TKOBAP-së pas 14 vitesh, nën regjinë e Riccardo Canessa-s, me skenografi dhe kostume nga Alfredo Troisi. Kori dhe Orkestra e TKOBAP-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Brusa, përcjellin gjallërinë, dritën dhe lirizmin e muzikës së Donizetti-t, duke i dhënë veprës një atmosferë mesdhetare dhe plot jetë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›