LIBAN – Dymbëdhjetë persona të vrarë pas sulmeve izraelite

BEJRUT/TEL AVIV, 2 maj /ATSH-DPA/ – Dymbëdhjetë persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën pas sulmeve izraelite në jug të Libanit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Bejrut, sipas agjencisë shtetërore National News Agency.
Sipas autoriteteve, mes viktimave ishte edhe një fëmijë. Ushtria izraelite nuk ka komentuar fillimisht mbi incidentet.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi në Telegram se Hezbollah kishte lëshuar “disa dronë shpërthyes” drejt trupave të saj në jug të Libanit. Ajo shtoi gjithashtu se kishte kapur një raketë të drejtuar drejt një zone ku operojnë ushtarët izraelitë, po në jug të vendit.
Raportime të medieve bëjnë të ditur se katër ushtarë izraelitë janë plagosur lehtë në jug të Libanit dhe në veri të Izraelit.
Megjithëse një armëpushim është teknikisht në fuqi, përplasjet mes Izraelit dhe milicisë së mbështetur nga Irani, Hezbollah, vazhdojnë çdo ditë. Konflikti është përshkallëzuar sërish pas nisjes së luftës me Iranin.
Ushtria libaneze dhe qeveria në Bejrut nuk janë palë aktive në konflikt.
Në kushtet e një armëpushimi të brishtë, SHBA-ja po bën thirrje për bisedime të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit në nivelin më të lartë.
Presidenti amerikan Donald Trump shpalli armëpushimin në mes të prillit, pas bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin libanez Joseph Aoun. /Ad.Ab./