E Diel, 1 Nëntor 2026

Leku i qëndrueshëm në raport me monedhat e huaja në muajin prill

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Tregu vendas i këmbimit valutor gjatë muajit prill 2026 u karakterizua nga një qëndrueshmëri relative e lekut, ndërsa monedhat kryesore ndërkombëtare shfaqën luhatje të lehta brenda intervaleve të pritshme.

Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, dollari amerikan u zhvlerësua me 0,95 lekë gjatë muajit prill, duke zbritur në nivelin 81,76 lekë në fund të muajit, nga 82,71 lekë që ishte në fillim. Brenda muajit, dollari arriti nivelin më të lartë më 3 prill, në 83,11 lekë, ndërsa minimumin e regjistroi më 17 prill, në 81,14 lekë.

Edhe euroja shfaqi një prirje të lehtë rënëse, duke u zhvlerësuar me 0,27 lekë. Monedha europiane u këmbye në fund të muajit me 95,53 lekë, nga 95,80 lekë në fillim. Niveli më i lartë u shënua më 8 prill, në 95,83 lekë, ndërsa më i ulëti më 24 prill, në 95,50 lekë.

Ndryshe nga dy monedhat kryesore, paundi britanik u forcua gjatë muajit prill. Ai u këmbye në fund të muajit me 110,31 lekë, nga 109,85 lekë në fillim, duke shënuar një rritje prej 0,46 lekësh.

Në të kundërt, franga zvicerane u dobësua me 0,44 lekë, duke zbritur në 103,74 lekë në fund të muajit, nga 104,18 lekë në fillim.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht luhatjeve të lehta mujore, tregu valutor në vend mbetet i qëndrueshëm dhe në linjë me pritshmëritë e BSH-së. Sipas Banka e Shqipërisë, kursi i këmbimit vijon të luhatet brenda parametrave të parashikuar, duke reflektuar balanca të qëndrueshme në tregun e brendshëm dhe ndikime të moderuara nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›