LIBAN – SHBA-ja sulm kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik

BEJRUT, 18 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një person i dyshuar si anëtar i grupit terrorist Shteti Islamik është vrarë në Sirinë lindore gjatë një operacioni të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër këtij grupi, bënë të ditur sot aktivistët.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britaninë e Madhe, personi kishte qenë nën vëzhgim prej një kohe të gjatë.
Farhad Shami, zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA-ja, konfirmoi se një anëtar i Shtetit Islamik është vrarë, ndërsa një tjetër është arrestuar.
Ai tha se SDF-ja nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në operacionin në provincën Raqqa, por kishin ofruar mbështetje logjistike.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin një koalicion ndërkombëtar në Siri për të luftuar Shtetin Islamik.
Operacionet nisën pasi grupi terrorist pushtoi zona të mëdha të Sirisë dhe Irakut në vitin 2014.
Edhe pse Shteti Islamik konsiderohet i mposhtur ushtarakisht, luftëtarët e tij mbeten aktivë në të dy vendet dhe vazhdojnë të kryejnë sulme.
Dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes u vranë gjatë fundjavës në një sulm në Palmira, që besohet se është kryer nga Shteti Islamik.
Pas këtij incidenti, presidenti amerikan Donald Trump u zotua për hakmarrje ndaj grupit terrorist.
Nuk është ende e qartë nëse operacioni ishte pjesë e masave hakmarrëse të paralajmëruara.
Komanda rajonale ushtarake amerikane përgjegjëse për zonën (CENTCOM) nuk komentoi./ /Ad.Ab./ a.jor.