LIRIA E SHTYPIT/ Çfarë përmbajnë e-mailet e Sarah Palin?
24 mijë e-maile. Diçka që askujt këtu në Shqipëri nuk ia rrok mendja, ka ndodhur në SHBA. Të gjitha e-mailet që ka shkëmbyer ish- guvernatorja e Alaskës dhe ish- kandidate për zv/presidente të SHBA, janë bërë publike. Shkaku: Rrjeti CNN, një e përditshme e Alaskës, por jo vetëm ata, kërkuan në bazë të ligjit për lirinë e informacionit që të publikohen të gjitha dokumentet e periudhës kur Palin ishte guvernatore. Tashmë mediat i kanë dokumentet në dorë.
Palin thotë se nuk është e shqetësuar se në 24 mijë dokumentet do ketë diçka komprometuese.
Por çfarë kanë e-mailet?
Shumë prej tyre janë urime, sidomos gjatë periudhës kur emri i saj në mënyrë të befasishme u përzgjodh si kandidate për zv/presidente. Por në disa prej tyre ka kërcënime me vdekje. Disa media thonë se e-mailet tregojnë se ajo ishte e zellshme në punë. Të tjera si New York Times u kanë bërë thirrje lexuesve që të gërmojnë edhe ata në dokumentet e publikuara online për të zbuluar ndonjë gjë banale.
Palin përflitet si kandidate e republikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.