E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Policia e Shtetit i plotëson standardet e vendeve të BE

11-06-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani vlerëson projektin PAMECA III si mjaft efiçent në standardizimin e performancës së strukturave të Policisë së Shtetit. Misioni Evropian PAMECA zgjat për herë të tretë mandatin e qëndrimit në Shqipëri

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani vlerësoi se projekti PAMECA III realizoi përmirësimin e performancës së strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit duke krijuar në këtë mënyrë një mjedis të sigurt për qytetarët shqiptarë në përputhje me standardet e vendeve të BE. Krahas këtij vlerësimi në mbledhjen e Bordit të Palëve të Interesuara të PAMECA III, Ministri Nishani evidentoi faktin se falë këtij projekti dhe të gjithë misioneve të tjera të asistencës policore, Policia e Shtetit ia doli mbanë të përmbushë disa detyra e të përballojë disa sfida të rëndësishme. “Për realizimin e ëndrrës së lëvizjes së lirë, Policia e Shtetit ka luajtur një rol të madh për të fituar besimin e vendeve partnere, si në aspektin e luftës kundër kriminalitetit, si në aspektin e kontrollit dhe menaxhimit të kufijve, ashtu dhe atë të ofrimit të dokumenteve të besueshëm dhe të sigurt të udhëtimit për qytetarët shqiptarë”- u shpreh ministri Nishani duke theksuar rolin ndihmës të PAMECA-s për përmbushjen e këtyre detyrave. “Kam kënaqësinë të ndaj sot me ju eksperiencën pozitive të Policisë së Shtetit”- iu drejtua të pranishmëve në takim ministri Nishani. Policia e Shtetit ka ditur të kapërcejë të gjithë momentet e vështira të përballjes me provokimet e ndryshme për thyerjen e rendit e cenimit të sigurisë me profesionalizëm, me guxim, larg çdo ndikimi politik. Duke shprehur falenderimin për kontributin e projektit PAMECA për rritjen e shkallës së profesionalizmit të Policisë së Shtetit, Ministri Nishani u ndal në veçanti  edhe tek vlerësimi i rolit të  policisë në zgjedhje në raportin paraprak të OSBE-ODIHR.
“Jemi krenarë që në raportin paraprak të misionit të ODIHR-it kishte vlerësime maksimale pozitive për veprimtarinë, sjelljen dhe aktivitetin e Policisë së Shtetit gjatë gjithë procesit elektoral në Shqipëri. Kjo është një sfidë tjetër e madhe të cilën Policia e Shtetit jo vetëm diti ta menaxhojë, por të ofrojë një model dhe një standard të ri për tërë shoqërinë shqiptare, për të gjithë aktorët dhe faktorët në Shqipëri”- tha Nishani. Ministri i Brendshëm garantoi se i gjithë kontributi i dhënë nga BE dhe taksapaguesit e vendeve europiane përmes financimit të projekteve të tilla, përmes financimit të asistencës së tyre, përmes financimit e ofrimit të eksperiencës së institucioneve tuaja për institucionet shqiptare, për anëtarët e Policisë së Shtetit në Shqipëri, ka rezultuar një sukses i vërtetë. “Për këtë u jemi mirënjohës juve, institucioneve tuaja dhe gjithë qytetarëve të vendeve anëtare të BE”- deklaroi ministri Nishani.
Bordi i Palëve të Interesuara të Projektit PAMECA III pasi analizoi të gjithë veprimtarinë e zhvilluar deri më tani, miratoi në këtë mbledhje planin e punës edhe për një vit tjetër shtesë të këtij projekti, tej afatit të parashikuar 2008-2011.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›