BERZH do të vazhdojë të mbetet aktive me projektet në Shqipëri
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto vlerësoi në takimin e Iniciativës së Europës Qendrore në Trieste se ky model bashkëpunimi është një rrugë e sigurtë për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin midis vendeve anëtare. Haxhinasto theksoi se kjo Iniciativë rajonale duhet të adoptojë vizionin dhe nevojën e bashkëpunimit për një të ardhme, që ta ndajnë të gjithë së bashku në përballimin e sfidave në fusha të tilla si energjetika, infrastruktura, lufta kundër trafiqeve, terrorizmi, etj. Në këtë takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, përfaqësues të Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe të disa nismave të tjera rajonale. Ndërkaq gjatë punimeve të ministerialit, Haxhinasto zhvilloi një takim me zv/presidentin e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim Jan Fischer, i cili vlerësoi rezultatet e arritura deri tani nëpërmjet projekteve të Bankës në Shqipëri dhe e siguroi ministrin shqiptar se BERZH do të vazhdojë të mbetet aktiv në Shqipëri me projekte në fusha të tilla si, energjia, infrastruktura dhe transporti. Në vijim të takimit të dy bashkëbiseduesit theksuan se tashmë është koha që të gjitha vendet Europiane të jenë pjesë e projekteve të Bankës.
...