LITUANI – Lideri socialdemokrat Sinkevicius emërohet kryeministër

RIGË, 25 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda emëroi sot liderin e socialdemokratëve, Mindaugas Sinkevicius, për postin e kryeministrit, duke i besuar atij formimin e një qeverie të re, pas riorganizimit të koalicionit qeverisës.
Emërimi i Sinkevicius duhet të miratohet nga Parlamenti. Pas votimit, ai do të ketë të drejtën të propozojë kabinetin e ri qeveritar, i cili gjithashtu do t’i nënshtrohet miratimit parlamentar.
Nausėda bëri të ditur se gjatë një takimi me Sinkevicius dje në mbrëmje, u dakordësuan prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme. Sipas presidentit, mbrojtja dhe siguria do të mbeten në krye të agjendës qeveritare.
Lituania, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe Bjellorusinë, aleate të Rusisë, e konsideron luftën në Ukrainë, një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare, ashtu si edhe vendet e tjera baltike.
Ndryshime në koalicionin qeverisës
Sinkevicius do të zëvendësojë bashkëpartiaken e tij, Inga Ruginienė, dhe pritet të prezantojë kabinetin e ri, gjatë javës së ardhshme.
Ndryshimet vijnë pasi socialdemokratët vendosën t’i japin fund bashkëpunimit me partinë populiste “Agimi i Nemunave” dhe ta zëvendësojnë atë me “Bashkimi Demokratik për Lituaninë”, e cila më parë ishte në opozitë.
Koalicioni i ri qeverisës, së bashku me dy partnerë të tjerë, kontrollon 75 nga 141 vendet në Parlament.
Sinkevicius ka shërbyer për një periudhë të shkurtër si ministër i Ekonomisë në vitet 2016-2017 dhe më pas ka qenë i angazhuar kryesisht në qeverisjen vendore në Jonava.
Në vitin 2024 ai u shpall fajtor për përvetësim të fondeve komunale dhe humbi përkohësisht postin e kryetarit të bashkisë, por në mars 2025 u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat nga Gjykata e Lartë e Lituanisë, me një vendim përfundimtar. //a.i/