E Enjte, 5 Nëntor 2026

LO PARIS2024 – Anne Hidalgo lahet në Senë për të larguar shqetësimet për pastërtinë e lumit

PARIS, 17 korrik /ATSH-AFP/ –  Kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo e mbajti premtimin dhe u la vetë në Senë sot, bashkë me presidentin e komitetit organizativ, Tony Estanguet, në një notim historik dhe qetësues, nëntë ditë para Lojërave Olimpike.

Rreze të shndritshme dielli, ujë në 20°C dhe baktere në pakësim shoqëruan këtë notim historik të figurave kryesore për organizimin e Lojërave Olimpike.

Nëse nga jashtë kjo garë për imazh mund të të bëjë të buzëqeshësh, tema është vendimtare për organizatorët e Lojërave Olimpike, të cilët e kanë bërë lumin ”yllin” e këtyre Lojërave dhe ndotjen e tij një nga shtyllat e kandidaturës së tyre.

”Është një ditë ëndrrash dhe premtimi u mbajt. Është shumë punë, kishte një dimension teknik, infrastrukturë për t’u lidhur… dhe ne e bëmë këtë”, reagoi Hidalgo.

Për Tony Estanguet, “është një mesazh shumë i rëndësishëm që u dërgua sot për të gjithë atletët që do të mbërrijnë pas disa ditësh. Kjo është, Sena është e notit dhe në të vërtetë garat e triathlonit dhe notit do t’i bëjmë”.

”Jemi njohur me ujërat paksa të ndotura sepse pothuajse kudo që notojmë e kemi këtë problem”, komentoi me videokonferencë Dorian Coninx, kampion bote në triatlon.

Shteti dhe komunitetet e rajonit të Parisit kanë injektuar 1,4 miliardë euro që nga viti 2016 për ta bërë Senën dhe degën e saj kryesore, Marnën, të notueshme.

Modernizimi i impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, lidhja me sistemin e kanalizimeve dhe grumbullimi i mbetjeve plastike rezultoi gjithashtu në pesë punime të mëdha, përfshirë një basen të mbajtjes së ujërave të shiut dhe ujërave të zeza.

Momenti i së vërtetës po afron për organizatorët pasi, pas ceremonisë së hapjes, në Senë  duhet të zhvillohen aktivitetet e triatlonit, noti maratonë dhe paratriatlon.

Megjithatë, në gusht 2023, provat për këto disiplina ishin kthyer në një makth për organizatorët, të detyruar të anulonin disa ditë testime për shkak të ujit të papërshtatshëm për not./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›