E Martë, 3 Nëntor 2026

LONDËR – BM: Mbi 30 vende të gatshme për të siguruar trupa për paqen në Ukrainë

LONDËR, 17 mars /ATSH/- Një numër i konsiderueshëm vendesh janë të gatshëm të ofrojnë trupa paqeruajtëse në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, tha sot një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer, sipas “Reuters”.

Britania e Madhe dhe Franca kanë udhëhequr përpjekjet për të ofruar një plan paqeruajtës për Ukrainën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump nisi bisedimet për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.

“Më shumë se 30 vende pritet të përfshihen në të ashtuquajturin “koalicioni i të gatshëmve” për të mbështetur Ukrainën”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Starmer.

“Mundësitë e kontributit do të ndryshojnë, por kjo do të jetë një forcë e rëndësishme, me një numër të konsiderueshëm vendesh që ofrojnë trupa”, shtoi ai.

Rusia e ka hedhur poshtë vazhdimisht propozimin për dislokimin e ushtarëve nga vendet që i përkasin aleancës ushtarake të NATO-s në Ukrainë.

I pyetur nëse trupat paqeruajtëse do të lejoheshin të kundërpërgjigjeshin nëse shënjestroheshin, zëdhënësi tha se takimet e planifikimit ushtarak po zhvilloheshin për të shqyrtuar detajet.

Starmer priti një takim virtual të shtunën me udhëheqës nga Evropa dhe vende të tjera për të siguruar mbështetje për koalicionin përpara se planifikuesit ushtarakë të takohen të enjten në Britani te Madhe për të diskutuar mënyrat për të garantuar një armëpushim.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›