BOSNJË-HERCEGOVINË – Dodik njofton ligjin për të krijuar një forcë policore kufitare

SARAJEVË, 17 mars /ATSH/- Udhëheqësi separatist serb i Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik njoftoi sot një ligj për të krijuar një forcë policore kufitare për rajonin e tij të dominuar nga serbët, pasi një gjykatë e lartë boshnjake urdhëroi arrestimin e tij për refuzimin për t’iu përgjigjur thirrjeve të prokurorëve, sipas “Reuters”.
Dodik, president i Republikës autonome Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, ka iniciuar tashmë një sërë ligjesh – që derogojnë autoritetet shtetërore dhe shkelin kushtetutën, duke krijuar krizën më të madhe kushtetuese në vendin ballkanik që nga fundi i luftës së tij të viteve 1990.
Dodik tha në mediet sociale se udhëheqja e lartë e rajonit kishte rene dakord sot të formonte policinë e saj kufitare në përputhje me Marrëveshjet e Paqes të Dejtonit që i dhanë fund luftës së viteve 1992-1995 – pjesë e përpjekjes së tij për të tërhequr të gjitha reformat e pasluftës që synonin të forconin vendin e brishtë.
Sipas marrëveshjes së paqes të organizuar nga SHBA-ja, Bosnjë-Hercegovina u nda në dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe Federatën Boshnjako-Kroate, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore dhe e mbikqyrur nga një i dërguar ndërkombëtar – roli i të cilit është të parandalojë shtetin multietnik ballkanik drejt një konflikti.
Mosmarrëveshja, e cila e vendos Dodik dhe aleatët e tij, Rusinë dhe Serbinë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, filloi pasi Dodik u dënua në shkurt me një vit burg dhe u ndalua të mbante postin për gjashtë vjet – për shkak të kundërshtimit të vendimeve të të dërguarit në një vendim gjykate që ai mund të apelojë.
Dodik, më pas inicioi ligje që ndalonin gjyqësorin dhe policinë shtetërore nga rajoni, të cilat u pezulluan në mënyrë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese duke thënë se ato rrezikonin rendin ligjor dhe kushtetues dhe sovranitetin e vendit.
Prokurorët e shtetit urdhëruan arrestimin e Dodik, kryeministrit të rajonit, Radovan Viskovic dhe kryetarit të parlamentit, Nenad Stevandic, të cilët shpërfillën thirrjet e tyre në një hetim për një sulm ndaj rendit kushtetues.
Por, arrestimi i tyre u pa si një operacion me rrezik të lartë pasi policia e rajonit tha se do të mbronte zyrtarët.
Lëvizja e Dodik për të formuar një polici të veçantë kufitare vjen mes raporteve të medias se prokurorët e shtetit kanë lëshuar një urdhër për tre zyrtarët, që do të thotë se çdo njësi policore në vend duhet t’i arrestojë ata dhe se ata nuk mund të largohen nga Bosnjë-Hercegovina.
Dodik kishte njoftuar tashmë udhëtimin e tij në Moskë këtë javë. //a.i/