NJU DELHI – Modi: Trump vjen me një udhërrëfyes të qartë në mandatin e dytë

NJU DELHI, 17 mars /ATSH/- Presidenti i SHBA-se, Donald Trump është shumë më i përgatitur për mandatin e tij të dytë, i pajisur me një udhërrëfyes të qartë, tha sot kryeministri indian, Narendra Modi në një intervistë, sipas “Reuters”.
India është ndër partnerët tregtarë që do të përballet me tarifat nga prilli, të cilat kërcënojnë të shkaktojnë shqetësim tek eksportuesit e saj në industritë nga automobilat në bujqësi.
Pasi Modi dhe Trump u takuan muajin e kaluar, të dy vendet ranë dakord të zgjidhnin mosmarrëveshjet tarifore dhe të punonin në segmentin e parë të një marrëveshjeje deri në vjeshtën e vitit 2025, duke synuar arritjen e tregtisë së dyanshme prej 500 miliardë dollarësh deri në vitin 2030.
“Këtë herë, ai duket shumë më i përgatitur se më parë”, tha Modi duke iu referuar mandatit të dytë të Trump, i cili filloi në janar.
“Ai ka një udhërrëfyes të qartë në mendjen e tij, me hapa të mirëpërcaktuara, secili i projektuar për ta udhëhequr atë drejt qëllimeve të tij”, shtoi ai.
Modi lavdëroi Trump për atë që ai e përshkroi si mirësjelljen dhe përulësinë e tij, duke nënvizuar një lidhje të fortë midis liderëve.
“Reflektimi i Trump tregoi shpirtin e tij ‘Amerika së pari’, ashtu siç besoj unë se në vend të parë duhet të jetë kombi. Unë qëndroj për Indinë së pari, dhe kjo është arsyeja pse kemi një marrëdhenie të mirë”, tha Modi. //a.i/