MOSKË – Putin: Plani amerikan për Ukrainën mund të shërbejë si bazë për paqe

MOSKË, 21 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se plani i propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ukrainën mund “të shërbejë si bazë për një zgjidhje përfundimtare” të luftës, duke paralajmëruar se Rusia mund të shtrihet më tej nëse Kievi e refuzon atë.
“Ky plan mund të shërbejë si bazë për një zgjidhje paqësore përfundimtare, por ai nuk është diskutuar me ne në mënyrë konkrete”, deklaroi Putin gjatë një takimi qeveritar të transmetuar në televizion.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë negociata paqësore dhe të zgjidhim problemet me mjete paqësore. Megjithatë, kjo kërkon një diskutim të thelluar të të gjitha detajeve të planit të propozuar. Ne jemi të gatshëm për këtë”, shtoi ai.
Sipas Putinit, plani me 28 pika, i cili ka shqetësuar Kievin, është diskutuar me Moskën nga ana e Shteteve të Bashkuara vetëm “në parim”, ku amerikanët kërkuan nga rusët të “bënin disa kompromise dhe të tregonin fleksibilitet”.
“Ukraina dhe aleatët e saj evropianë ende kanë iluzione dhe ëndërrojnë të shkaktojnë një humbje strategjike për Rusinë në fushën e betejës”, vijoi Putin, duke siguruar se Moska është e gatshme, në rast refuzimi, të arrijë qëllimet e saj “përmes forcës, brenda një luftimi të armatosur”.
“Nëse Kievi nuk dëshiron të diskutojë propozimet e presidentit Trump dhe refuzon ta bëjë këtë, atëherë Kievi dhe nxitësit e luftës evropianë duhet të kuptojnë se ngjarjet që ndodhën në Kopiansk do të përsëriten patjetër në sektorë të tjerë kyç të frontit” , shtoi presidenti rus.
Plani i Uashingtonit përfshin disa kërkesa të Rusisë për të përfunduar konfliktin, përfshirë lëshimet territoriale dhe reduktimin e ushtrisë ukrainase, por gjithashtu parashikon garanci sigurie për Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e refuzoi sot këtë plan, duke siguruar se nuk do të tradhtojë vendin e tij, ndërsa premtoi të bëjë propozime të tjera ndaj Uashingtonit./ /Ad.Ab./